Eksluzive/Luçiano Boçi: Policia si pronë e pushtetit dhunon qytetarët, ja pse Rama vishet me antiplumb…

1

Rama dje ishte në panik në Elbasan. I pakuptimtë ishte fakti ajo çfarë shfaqte madje dhe në transmetimin live, e kishte humbur durimin dhe ishte nervozuar më shumë se në Shkodër duke qenë se ndoshta e priste ta gjente fushë me lule. Për të hyrë në qytet iu desh së pari për të ndryshuar orarin e më pas të përdorte polici dhe forca speciale, të kalonte duke dhunuar qytetarët e Elbasanit, ish deputetë dhe drejtues të degës lokale.
Mes dhjetra të shoqëruarve ishte dhe ish-deputeti Luçiano Boçi dhe zyrtarë të tjerë të degës.
Në një intervistë për startnews.al, ish deputeti dhe pedagogu Luçiano Boçi, flet për atë çfarë ka ndodhur dje në Elbasan duke e konsideruar protestën qytetare krejt normale ndaj një njeriu të paftuar dhe që i ka sjell vetëm tragjedi qytetit, duke nisur nga dëmet e krimit, korrupsionit e sikur për t’u mos u mjaftuar me arrogancën që e karakterizon i fyen qytetarët dhe si pianecë dhe rrogacë! Zoti Boci flet për dhunë e policisë së përdorur dhe arrestimet, takimin e Ramës të braktisur nga qytetarët si dhe komenton mllefin e kryeministrit ndaj opozitës teksa fliste nga Elbasani i rrethuar nga dhjetra badigardë me antiplumb.
Zoti Boçi, një para vizitës së Ramës në Elbasan ju e kishit parashikuar zemërimin. Ndodhi ajo që ia kishit thënë kryeministrit, por dhuna e policisë ndaj jush bëri të mundur që ai të futej. Si percipitoi situata?
Ndodhi ajo që ka ndodhur dhe në qytetet e tjera, kudo ku shkel Rama. Tashmë është një i paftuar që gjezdis pa busull, që të fitojë më zor ca të qeshura dhe ca duartrokitje. Kërkon me dhunë auditor, ku të shprehë idiotizmin që e ka kapluar, frikën që e ka pushtuar dhe djallëzitë që ka punuar. Angazhon mijëra forca policore, për të shmangur zemërimin e qytetarëve dhe mvishet me antiplumb nga jashtë për të larguar tmerrin që ka brenda. Por pa shpëtim. Ankthi që i kanë shkaktuar protestat e urrejtja e qytetarëve e ka shfazuar totalisht. Është në kufijtë e ezaurimit të plotë dhe përpjekja e tij për t’i dhënë formë përfundimtare regjimit të tij, duke luftuar me çdo mjet opozitën, duket qartësisht e dështuar. Sot njerëzit kudo kërkojnë një të drejtë të dhunuar e të grabitur; të votojnë të lirë sipas vullnetit të tyre. Këtë nuk e ndalin as forcat e shumta speciale dhe as dhuna e tyre, sic ndodhi në Elbasan. Zemërimi shpërtheu sapo u përhap lajmi që Rama do vinte në Elbasan dhe vendosmëria për të mos lënë Ramën të kalonte ishte e admirueshme. Madje me shpresë se ai do ta shmangte përballjen, zhvendosi pabesisht më herët orarin e ardhjes në Elbasan, i parashikuar në orën 11.00, për t’i kapur qytetarët në befasi. U nis nga Tirana në 9.00. Qesharak dhe i neveritshëm. Një kryeministër që luan kukafshehti me njerëzit. Të bindur se me cfarë burracaku përballeshin, qytetarët kishin dalë më herët se lajmërimi i shpërndarë nga vetë ata dhe e zunë galif në kalimin pompoz me dhjetra makina e alarme pafund. Forcat e shumta të vendosura që herët aty, ishin armatosur rëndë dhe demonstruan një forcë jashtë cdo logjike. Është e pakuptimtë të ndalet një zemërim i tillë, sepse ai do gjejë format e tij të shprehjes siç dhe ngjau.
Pavarësisht regjisë së kryeministrit dukej se karriget ishin bosh. Kush e prit sot Ramën në Elbasan?
Karriget e vendosura në shesh e tronditën keq karrigen e kryeministrit. Administra e detyruar me apel politik e kërcënues dhe me urdhërin për të marrë dhe familjen në pjesën më të madhe e shmangu dhe e braktisi totalisht.
Për qytetarë të thjeshtë as që bëhej fjalë. Realisht nuk ka një arsye logjike të presësh në mes të qytetit njeriun që ka bë që vrasjet në Elbasan të bëhen acik në mes të qytetit, që varfëria të shtrohet këmbëkryq në mes të qytetit, që njerëzit të grabiten në ekonominë e tyre në vullnetin e tyre në mes të ditës së qytetit, që fermeri të mashtrohet në mes të bashkisë dhe që Elbasani të përdhoset, sikur ai të mos ishte mitra e arsimit shqiptar.
Ato që mbeten ishin një grusht entuziastësh politikë, kockëlëpirësish dhe disa anëtarë shpure që nuk e ndajnë të qeshurën për të, as kur shkojnë në banjo.
Eshtë vënë re një përdorim i tepërt i dhunës në raport me protestën ku pamjet tregojnë përplasjen e qytetarëve nga policia dhe specialet deri tek dhuna ndaj jush. Si do komentonit këtë fakt nga vjen gjithë ky guxim i policisë?
Policia ka humbur të qënurit e saj e shtetit dhe ka kaluar tërësisht në pronësi e shërbim të pushtetit. Mjafton të evidentosh kontrastin egërsisë e dhunës që ajo përdor për protestuesit e thjeshtë dhe shkallën e përulësisë e puthadorës ndaj politikës e krimit të bërë bashkë kudo në Shqipëri.
Policia ka humbur, jo vetëm funksionin, por dhe logjikën dhe emocionin. Nuk është më as shërbim, por gjobvënëse. Nuk është parandaluese apo ndaluese e krimit, por thjesht një promovuese inkurajuese, bashkëpunuese dhe mbrojtëse e krimit.
Është shndërruar tashmë në një zgjatim të bandës në pushtet, për të mos thënë që i ngjason tërësisht dhe vetë një bande, por që dallohet nga bandat e tjera nga rregullsia e uniformës. Një formacion paramilitar që ekspozon qartë vendosjen e juntës së ushtrisë së policisë në vendin tonë.
Guximi absurd, i buron nga vullneti permanent që i transmeton politika, për të luftuar deri në egërsi cdo përpjekje qytetare për liri dhe të drejta.
Pa komandimin e urdhërimin politik, ajo do kishte tjetër qasje e pamje ndaj protestave dhe tjetër ndaj krimit.
I tensionuar Rama foli sot me mllef ndaj opozitës si dhe ndaj qytetarëve që i zunë pritë. I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i policisë për të shoqëruar protestuesit. Cili është komenti juaj për sjelljen e uniformave blu?
I cilësoi qytetarët dhe ne të pirë e rrugacë dhe e bëri këtë pafytyrësisht për njerëzit e një qyteti të njohur për kulturën, qetësinë e urtësinë e tij. E bëri paturpësisht si të gjithë mënxyrat e tjera që ka shkaktuar në mes të qytetit. E bëri personi që është kapur duke vjedhur vota si një hajdut serial dhe personi që nuk ka dëshmuar asnjë fije moral përgjatë këtyre viteve. E bëri personi i cili flet nga maja e vizave që tërheq dhe jo nga lartësia e mendjes që duhet ta komandojë. Na akuzoi se po bllokojmë rrugët e integrimit ndërkohë që në duam të bllokojmë rrugën e tij të krimit elektoral, për t’i hapur rrugë së ardhmes dhe Europës së merituar.
Sjellja e mëpastajme e policisë, pasi provokoi e ushtroi dhunë, ishte një tjetër demonstrim ankthi dhe frike e pushtetit me ditë të numëruara. Ndalimet ishin kaotike, të pajustifikuara dhe me akuza false.
Çdo qytetar ka të drejtë të shprehë protestën e tij dhe të kërkojë për të gjithë ato arsye që parashtruam, që shkaktari i së keqes të mos lejohet të vazhdojë të bëjë keq. Sovrani ka të drejtë kushtetuese të përdorë të gjitha mjetet për të shembur ata që grisin kontratën me të.
Uniformat blu kanë humbur cdo besueshmëri dhe ndjenjë respekti për shkak të tërësisë së abuzimeve që kanë bërë me qytetarët nën presionin e urdhërave politikë. Polici me keqardhje, ka humbur autonominë e të qënurit i thjeshtë e shërbyes i qytetarit dhe është imponuar të bëhet një jenicer i verbër e kobure politike i eprorëve dhe i regjimit të bandës.

 

1 Koment

  1. Luciano Boci eshte opozita e vertete e Rames dhe Sejdinit ne Elbasan. Ka me shume se 6 vite qe perballon bandat kriminale.
    Ai ka mbeshtetjen me te madhe nga qytetaret e Elbasnit. Te majte dhe te djathte. Basha dhe Berisha duhet t’i ofrojne qytetareve te Elbasanit kandidaturen e Luciano Bocit, njeriut me te votuar ne Qarkun e Elbasanit qe prej 2009-es.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.