2018-2019, bie me 11 mijë numri i nxënësve dhe studentëve të regjistruar në arsim. Çfarë po ndodh?

0

Numri i nxënësve dhe studentëve që ndjekin sistemet arsimore në vend është duke pësuar rënie të ndjeshme nga viti në vit si pasojë e emigracionit të lartë dhe rënies së numrit të lindjeve.

Sipas të dhënave të INSTAT në vitin shkollor 2018-2019, u regjistruan në të gjithë nivelet e arsimit zyrtar, 641.161 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 1,8 %, krahasuar me të regjistruarit e vitit 2017, ose 11, 500 persona më pak .

Loading...

Rënia më e madhe e numrit të nxënësve u vu re në arsimin 9-vjecar, ku rezultojnë të regjistruar 13,141 nxënës më pak se gjatë vitit shkollor 2017 me një rënie 4.1%.

Numri i fëmijëve të regjistruar në kopshte ishte 78,942 ose 2.6 për qind më i ulët se në vitin 2017.

Rënie u evidentua edhe në arsimin e mesëm. Në 2018 rezultojnë gjithsej të regjistruar 116,646 nxënës me një rënie 2.8 në raport me vitin e mëparshëm.

Në fillim të vitit shkollor 2018-2019 pjesëmarrja në të gjithë nivelet e arsimit, në krahasim me popullsinë e moshës shkollore ose GER (Raporti i Regjistrimeve Bruto), ishte 84,4 %.

Megjithatë raporti i regjistrimit bruto është i ndryshëm në nivele të ndryshme arsimore.

Për vitin shkollor 2018-2019, GER në arsimin 9 vjeçar ishte 99,7 %, me një ulje prej 1 pikë përqindje nga viti paraardhës.

Raporti tregon për pjesëmarrje të lartë të popullsisë në këtë nivel arsimor, që ka të bëjë edhe me faktin se arsimi 9 vjeçar është i detyruar.

Në vitin 2018 morën pjesë në arsimin 9 vjeçar 95,6 % nxënës të grup moshës 6-14 vjeç në krahasim me popullsinë përkatëse, përkundrejt 96,5 % të tyre, në vitin 2017.

Në arsimin e mesëm pjesëmarrja ishte, 77,4 % përkundrejt 76,7 % që ishte në vitin 2017.

Sektori i arsimit është reduktuar më shumë se 30% që nga viti 1990 si në numrin e nxënësve, mësuesve dhe shkollave. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, numri i nxënësve që ndjekin arsimin e 9-vjeçar dhe të mesëm ra në 43 mijë e 700 nxënës në vitin 2018 nga 68 mijë e 600 nxënës që ishin në vitin 1991, ose 35% nxënës më pak. Rënia më e madhe ishte në arsimin 9-vjeçar, ku këtë vit janë ulur në bankat e shkollës 260 mijë nxënës më pak nxënës se në vitin 1991. Vetëm në dy vitet e fundit, shkollën e vijuan 46 mijë fëmijë më pak.

Rënia e numrit të nxënësve është shoqëruar edhe me reduktim të trupës arsimore. Në vitin 1991, numëroheshin 43700 mësues në të gjithë vendin, ndërsa në fillim të këtij viti, numri i tyre ishte 29000, me tkurrje 33% që nga viti i parë i tranzicionit.

Gjithashtu numri i shkollave u ul me 35% që nga viti 1991. Shqipëria hyri në periudhën e tranzicionit me 2200 shkolla të arsimit 8-vjeçar dhe të mesëm, këtë vit dhe me 1134 shkolla. Afërisht, 150 shkolla u mbyllën vetëm këtë vit, për shkak se numri i nxënësve po bie në mënyrë të frikshme në disa qarqe të vendit.

 

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.