Agjencitë e huaja turistike rrezikojnë të braktisin Shqipërinë vitin e ardhshëm

0

Flet Rrahman Kasa, menaxher i “Happy Tours”

Nordikët kanë vendosur që viti 2019 të jetë viti i provës për të vendosur nëse do të qëndrojnë apo jo në tregun shqiptar. Ky vit duhej të ishte viti i parë kur ata do të vilnin frytet e dy viteve të para, ku paketat e shitura kanë qenë me humbje por kjo është një praktikë që njihet në tregjet e reja.

Rrahman Kasa, menaxher i “Happy Tours”, shprehet se do të shihet ecuria gjatë këtij viti për të vendosur më pas nëse do të rinovohen apo jo kontratat. Por ndërsa ky duhej të ishte një vit më i mirë dhe nisja ka qenë e tillë, vijimi mbetet i pasigurt. E para lidhet me indiferencën për të përmirësuar problemet me infrastrukturën që trashëgohen vit pas viti. E dyta, me pasigurinë që përcillet nga tensionet politike, çka mund të reflektohet në anulime të rezervimeve.

“Për shkak të këtij imazhi operatoret e njohur ndërkombëtarë që aktualisht operojnë në Shqipëri si Der Turistik, Apollo Nordik, Tui, Nowa Itaka, Rimbow, Exim Tours etj, ndoshta duke filluar nga viti tjetër do të hedhin sytë nga tregje të rajonit që nuk i kanë këto probleme dhe që iu krijojnë më shumë lehtësi, të cilat kanë politikat e subvencioneve, që fillojnë nga 25 euro për çdo turist që konsumon minimumi 3 netë qëndrim, që përfitojnë Operatorët Incoming, në mënyrë që të stimulohet prurja e turistëve të huaj, aplikojnë taksa të ulëta aeroportuale për avionet charter me qëllim tërheqjen e këtyre fluturimeve drejt aeroporteve të tyre për të garantuar qëndrueshmërinë e vendeve të tyre si destinacion”, pohon ai.

Në maj mbërritën edhe turistët e parë nordikë. Si duket situata e përgjithshme këtë vit?

Turistët e parë nordikë mbërritën në 11 maj. Për fat të keq, nuk na ka favorizuar shumë edhe moti se ka pasur vetëm shi, por më shumë sesa koha, problem është situata në terren. Në zonën e Golemit, ku ndodhen këta turistë, ka një prani të madhe të dherave, inerteve, ndërtimit pa kriter që po bëhet gjithandej. Kjo situatë e rrëmujshme deri diku sjell pakënaqësi.

Një pjesë e turistëve janë optimistë dhe mundohen të shohin anët pozitive, por ka edhe nga ata që nuk bëjnë tolerancë te standardi. Janë turistë me një standard të lartë që kanë vizituar shumë vende dhe kjo duhet të na bëjë më të përgjegjshëm. Për momentin, po vijnë vetëm 3 chartera në javë nga vendet nordike, por do të shtohen më vonë në 5-6 në javë. Në 21 maj vijnë turistët nga vendet baltike që janë një hyrje e re në Shqipëri.

Po hotelet si duken këtë vit, duke qenë se për strukturat akomoduese ka pasur edhe monitorim të vazhdueshëm nga agjencitë e huaja që sjellin turistët?

Hotelet nuk mund t’i përgjithësosh, pasi nuk ofrojnë një standard. Në përgjithësi, ata që janë më të mirë në zonën e Golemit, ku është investuar viteve të fundit, në mënyrë të dukshme. Kanë qenë mirë në aspektin e standardit.

Ka një lloj shqetësimi për pjesën e situatës politike në vend, protestave dhe përplasjeve. A ju ndikon kjo dhe çfarë shprehin partnerët tuaj? Ka rrezik për anulime?

Maji në përgjithësi ka nisur me probleme, qoftë me kohën, qoftë me ndërhyrjet e njoftuara në autostradë, qoftë për situatën e protestave. Ne kemi shqetësim sidomos për këtë të fundit, pasi agjencitë tona partnere janë nën presion të vazhdueshëm të klientëve që marrin për të pyetur sesi është situata, sepse disa prej tyre nuk janë njerëz që duan t’u hyjnë aventurave në një vend që nuk ka një imazh të mirë të konsoliduar dhe mund të anulojnë rezervimin.

Ky është shqetësimi më i madh që kemi, se Shqipëria nuk njihet për imazh fort të mirë. Nuk jemi Franca. Kemi vite të tëra që bëjmë promovim, marrim pjesë në evente të rëndësishme për të ndryshuar imazhin që ekziston dhe që Shqipëria të futet në hartën e turizmit si një destinacion turistik. Nëse do të kemi një situatë të paqëndrueshme me tensione dhe që mund të përkeqësohet është shumë shqetësuese, sepse ne nuk mendojmë për sot, por efekti do të jetë për më vonë.

Kjo nënkupton që ndoshta mund të rishikohen kontratat apo të largohen operatorët?

Nëse kemi probleme, që nga klientët e tyre mund të interpretohet si një vend jo i sigurt, operatorët ndoshta nuk do të rinovojnë kontratat për vitin tjetër. Nëse këtë vit nuk arrijnë të mbushin dhomat prej anulimit të rezervimeve, apo kërkesës së ulët, për shkak të asaj që shihet e lexohet nëpër media, operatorët mund të mos ta shohin me leverdi Shqipërinë, pasi blerja e dhomave dhe çarterat që kanë rezervuar në fund mund t’ju rezultojnë me një bilanc negativ, pra humbje.

Si e prisni ecurinë e përgjithshme të sektorit gjatë këtij viti?

Ne e presim dhe shpresojmë që të jetë në të njëjtin nivel si vitin e shkuar, kur kemi pasur edhe vitin më të mirë në turizëm. Kini parasysh që edhe rritja në sektor planifikohet nga partnerët tanë dhe, në fillim ata kishin planifikuar një rritje me 20%, bazuar edhe tek premtimet që iu kemi dhënë ne për përmirësim të shërbimit dhe infrastrukturës. Sot që flasin, ne mendojmë që kjo rritje nuk do të jetë siç u parashikua, për shkak të problemeve të mëdha, së pari ato të infrastrukturës. Rruga dytësore në Golem është tërësisht e shkatërruar, kudo anës saj ke inerte, ndërtime rrëmuje. Së dyti situata e pastabilizuar politike dhe dhuna që shihet nëpër media ndikon shumë. Duke shtuar këtu edhe kohën e keqe, por atë nuk e kemi në dorë. Urojmë që të mos përshkallëzohet tensioni politik, pasi kjo do të ishte fatale. Jemi përditë në biseda me agjencitë e huaja që duan konfirmim për çdo gjë që shohin nëpër media.

Po me Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit, a keni pasur takime, a keni parashtruar kërkesa?

Flasim përditë edhe me ministrinë, por këtu tek ne ka një problem të madh me marrjen e përgjegjësisë. Të gjithë ia pasojnë topin tjetrit. Për shembull, ti ankohesh për Golemin dhe ministria thotë e ka në dorë pushteti lokal. Ky i fundit thotë se nuk është faji i tij, pasi rrugën e tenderon Autoriteti Rrugor Shqiptar. E në këtë pingpong, nuk zgjidhet asgjë.

Çfarë qëndrimi kanë shprehur agjencitë nga vendet nordike për në vijim?

Ato për vitin tjetër do të shohin sesi do të dalin këtë vit me bilancin e tyre. Vitin e parë kanë dalë me humbje me paketat. Kuptohet viti i parë, i tillë është në përgjithësi kur hyn në një treg të ri. Vitin e dytë, më 2018, qëndruan sepse e shohin Shqipërinë me dashamirësi si një vend që mund të zhvillohet. Do të provojnë edhe këtë vit dhe nëse dalin me humbje sërish, atëherë me shumë gjasa nuk do të jenë më në Shqipëri vitin tjetër.

Po polakët dhe çekët, si është tendenca e turistëve nga këto vende?

Polakët dhe çekët kanë kërkesa si turistë, por nuk janë aq striktë sa nordikët. Fillimisht tregu polak reduktoi disa chartera duke planifikuar vetëm 8 në javë nga 21 maji deri në shtator, por agjencia “Itaka” shtoi sërish numrin pak kohë më parë, duke parashikuar se do të kemi 11 chartera në javë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.