Anulimi i zgjedhjeve, Gjata: Ja pse dekreti i Metës nuk ankimohet

0

Njohës i Kushtetutës, ish-kryetar i KQZ, aktualisht Sekretar Ligjor i PD, Çlirim Gjata, ka komentuar në Syri Tv përballë moderatorit Bledian Koka, vendimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta për anulimin e 30 qershorit si datë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale. Sipas Gjatës, vendimi i kreut të shtetit doli në momentin e duhur si një vendim nga pozicioni i tij kushtetues për ruajtjen e unitetit kombëtar, sepse dha zgjidhje duke shmangur përplasje të mëdha gjatë protestës së djeshme të opozitës. Anulimi i zgjedhjeve, tha Gjata, shmang përplasjen civile të cilës i druheshin të gjithë më 30 qershor.

Doli në momentin e duhur, në kohën dhe vendin e duhur. Qetësoi qytetarët të djeshëm pasi në darkë mund të ndodhin gjëra të rënda, se edhe PD e ka jashtë kontrollit. Shmangu edhe përplasjen civile. Më 30 qershor nuk do të ketë më përplasje civile. Presidenti me këtë veprim luajti rolin e tij Kushtetues, si mbrojtës i unitetit kombëtar. Dhe dje këtë bëri. Shmangu përplasjen më 30 qershor, sepse nuk do të ketë zgjedhje. Ka vepruar në mënyrë presidencialiste, ose po ta themi në gjuhë gazetareske ka vepruar si burrë shteti”, u shpreh Gjata.

Por a ka bazë kushtetuese dekreti i anulimit të zgjedhjeve. Çlirim Gjata shprehet: “Dekreti i Presidentit, për anulimin e 30 qershorit, pse them që është Kushtetues. Sepse, presidenti është i vetmi që nxjerr dekrete, dhe automatikisht ka të drejtë edhe të anulojë. Edhe Gjykata Kushtetuese arsyeton a është Kushtetuese apo jo dhe nuk merret me politikën. Pra, presidenti nxjerr dekretin dhe e anulon. Presidenti nuk mund ta anulojë kur ka një organ tjetër që e shqyrton, siç është p.sh kur presidenti kthen një ligj, atë ai nuk mund ta anulojë, pasi e shqyrton Parlamenti”.

Por a mund të ankimohet vendimi i Metës? Çlirim Gjatë thotë se për dekretet shprehet vetëm Presidenti dhe asnjë organ tjetër nuk mund të gjykojë vendimin e tij, me përjashtim të Gjykatës Kushtetuese, e cila sot është jashtë funksionit.

“Aktet me karakter individual ankimohen në Gjykatë Administrative. Dekreti për zgjedhjet nuk është me karakter individual, por është një element Kushtetues. Kështu që, po vetë e anulon. Nuk mund ta caktosh në Gjykatë sepse nuk i drejtohet një invididi të caktuar, nuk e merr KQZ në shqyrtim, nuk e merr Parlamenti në shqyrtim. Në rrethana lufte, tërmeti do bëhen zgjedhje? Përplasja civile është një rrethanë dhe rrethanat i vlerëson Presidenti. E dini ju pse presidenti nuk ka asnjë detyrim që të tregojë shkaqet për një dekret të caktuar? Presidenti nuk është institucion juridik-teknik.

Presidenti është institucion politiko-kushtetutes, ai bën interpretimin e Kushtetutës siç e di ai, e para për ruajtjen e unitetit kombëtar dhe e dyta është çështja 90 pika 1 e Kushtetutës ku thotë askush nuk ka të drejtë t’i kërkojë llogari presidentit apo ta vendosë përpara përgjegjësisë… Do të thotë se asnjë  instituciuon nuk mund t’i kërkojë llogari presidentit për aktet e veta. Nëse nuk jemi dakord, shkojmë në Gjykatë Kushtetuese, për të cilën më mirë të mos flasim”, tha Gjata, duke iu referuar faktit se Gjykatë Kushtetuese është sot jashtë funksionit. “Gjykatën Kushtetuese ta gjejë kryeministri me gjenitë e tij të Reformës në Drejtësi”.

A ka të drejtë Meta të dekretojë datë të re për zgjedhjet? Çlirim Gjata thotë se këtu ka nevojë për marrëveshje dhe marrëveshje për opozitën është largimi i Edi Ramës. “Presidenti ka vendosur të anulojë dekretin për datën e zgjedhjeve për shkak të kësaj rrethane. Pa rënë shkaku, pra pa iku kriza politike, pse ka rënë ky dekret, nuk mund të nxjerrë dekret tjetër. Topi është politikisht në derën e Edi Ramës. Ai duhet të ulet për marrëveshje, marrëveshje është largimi i tij”.

“Zgjedhjet e ardhshme vendore janë të mundshme deri në 15 nëntor”, thotë Gjata.

Ai kujton se zgjedhjet janë shtyrë në tre raste në të kaluarën. Gjata kujton se në vitin 1991 janë shtyrë me tre muaj zgjedhjet parlamentare, kur sapo ishte themeluar PD. Zgjedhjet u shtynë edhe në 2007-ën si dhe 2017-ën. “Në 2007-ën, presidenti ishte bërë gati datën të caktonte 23 dhjetorin, por nuk ishte zyrtare. Rama kishte deklaruar se nuk hynte në zgjedhje, edhe pse ishin pranuar kërkesat e saj, pastaj nxori listat e zgjedhësve. Dhe presidenti nuk e shpalli. Në datën 6 dhjetor shpalli 20 janarin datë zgjedhjesh. U arrit edhe një marrëveshje Blushi-Pango dhe Rama e rrëzoi. Rama për herë të tretë nxori çerfitikatën dhe tha se nuk do hynte në zgjedhje. Në ato kohë, një parti e bllokonte procesin dhe s’kishe ku t’i gjeje komisionerët, vetëm nga partitë. Prandaj, kam dalë unë në konferencë për shtyp, si kreytar i KQZ, hajde të ulemi ta diskutojmë, sepse zgjedhjet nuk bëhen. Atëherë ndodhi takimi Rama-Berisha dhe u shtynë zgjedhjet me 1 muaj pas datës 20 janar. Pra, zgjedhjet nuk bëheshin dot në ato rrethana. Prandaj, të njëjtën gjë po bën Presidenti edhe sot, duke vlerësuar rrethanat”, thotë Gjata.

A rrezikon shkarkimin Meta? Për Çlirim Gjatën sërish është Gjykata Kushtetuese ajo që vendos. Sipas tij, Parlamenti, me 94 vota, 2/3, voton dhe çon propozimin në Gjykatë Kushtetuse dhe më pas është kjo gjykatë që bën vlerësimin dhe më pas vendos nëse shkarkohet apo jo./Syri TV

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.