Shoqëria civile proteston kundër memorialit turk

0

Shoqëria civile proteston për memorialin turk të vendosur në ambientet e parkut të Liqenit Artificial. Policia rrethon memorialin dhe përplaset me protestuesit.

Dhjetëra qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë protestuar dje në ambientet e parkut të Liqenit Artificial në Tiranë, kundër memorialit turk, të instaluar aty prej pak kohësh. Memoriali i vendosur në përkujtim të 251 viktimave të grushtit të shtetit në 15 korrik të 2016 në Turqi, ka ngjallur debate dhe revolta nga ana e shoqërisë shqiptare, e cila e konsideron një provokim të fortë. Ata u shprehën për “Shekulli”-i se ky është një plan i qeverisë për të konfliktuar dy shtetet, të cilët kanë një të shkuar të errët mes tyre. Më tej, ata theksuan se protestat do të vazhdojnë deri në heqjen e këtij memoriali nga një hapësirë e tillë publike. Nga ana tjetër edhe policia bashkiake kishte marrë masa, duke e rrethuar memorialin, që në orët e para të mëngjesit. E gjithë kjo solli përplasje mes palëve.” Nuk e kuptoj përse Veliaj ka sjellë sot policinë. Kjo plehra që kanë vendosur sot këtu, do të hiqet një orë e më parë. Duan apo nuk duan, këtë gjë ta marrë vesh edhe ambasadori turk. Ne jemi për miqësi me Turqinë edhe pse këta nuk kanë qenë asnjëherë miqtë tanë, pasi na kanë shkelur dhe shtypur. Na pushtuan për 500 vjet. Në vitin 1747 osmanët nxorën një vendim për të ndalur gjuhën shqipe, në bashkëpunim me grekët në Stamboll. Praktikisht janë armiqtë tanë më të egër popullorë. Kjo qeveri nuk po investon për nevojat bazike të popullit dhe shkon e investon për një gjë të tillë”, tha avokati Zaçe Islami për “Shekulli”-n. Më tej, ai shtoi se qeveria ka një plan strategjik të fshehtë që të shkaktojë konflikt shoqëror mes dy shteteve.

Loading...

Vazhdimi i protestave

Në këtë protestë e cila zgjati më shumë se dy orë, nuk munguan as të rinjtë, të cilët deklarojnë se ky sensibilizim i paraprin një proteste të madhe, e cila do të mbahet në ditët në vijim deri në heqjen e memorialit. “Sot (dje) më datë 20 gusht 2019, pas një thirrjeje të iniciuar nga shoqëria civile, iu bashkëngjita dhe unë protestës kundër memorialit turk, me emrat e 251 personave të cilët humbën jetën në 15 korrik 2016 në Turqi. Fatkeqësisht, ende sot e kësaj dite, populli ynë vuan nga politikat nënshtruese të qeverive shqiptare, të cilët glorifikojnë shtetet me të cilat ata bashkëpunojnë”, u shpreh Klajdi Bello. Mes të tjerash ai deklaroi se në kontekste të ndryshme kohore, ka ndodhur gjithmonë që sa herë kemi marrëdhënie të mira me një shtet tjetër, ose të paktën udhëheqësit tanë, ka një tentativë të tillë në ngritjen e monumenteve të kësaj natyre.”Kësaj radhe është shumë herë më ndryshe, pasi po ngrihet memoriali i disa njerëzve të cilët nuk kane asnjë lloj lidhje më Shqipërinë, pasi ata janë vrarë, martirizuar në vendin e tyre nga një luftë e brendshme, një puçi ushtarak, i cili, e ritheksoj, nuk ka absolutisht asnjë lidhje me Shqipërinë”, nënvizoi ai. Duke deklaruar më tej se kjo lëvizje është një provokim i pastër nga ana e qeverisë shqiptare dhe asaj turke, për të matur pulsin e qytetareve shqiptare. “Jam i bindur se, kjo protestë i paraprin një proteste më të madhe, deri në heqjen, prishjen e një monumenti, i cili thjesht sa i bën dëm marrëdhënieve bilaterale dhe zgjon akoma me tej ndjenjën atdhetare të shqiptarëve”, përfundoi ai.

Cenimi i identitetit

Për aktivistin , Kastriot Frashëri, vendosja e një memoriali të tillë në tokën shqiptare cenon identitetin dhe kurrsesi nuk mund të pranohet nga asnjë shqiptar. “Fakti që një vend, edhe pse Shqipëria të paktën mendohet se ka marrëdhënie të mira me Turqinë, është një dëmtim i interesit të shqiptarëve. Me vendosjen e këtij memoriali ne që kemi të bëjmë me cenimin e sovranitetit dhe identitetit kombëtar. Ne jemi një organizatë që nuk merremi me çështjet e brendshme të Shqipërisë, dhe vendosja e memorialit është një çështje e brendshme e Turqisë dhe nuk ka pse eksportohet këtu. “, u shpreh ai. Shekulli

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.