Astma te fëmijët, rreziku për rishfaqjen e sëmundjes dhe si parandalohet. Flet mjekja alergologe Ornela Marko

0

Fëmijët që rriten në fshat janë të mbrojtur ndaj astmës dhe alergjisë mjedisore. Ndotja e ajrit, sipas mjekes alergologe Ornela Marko, akuzohet si për rritjen e incidencës së astmës, ashtu dhe për përkeqësimet e saj në pacientët astmatikë. Duhanpirja te nënat shtatzënë, vë në dukje doktoresha, po ashtu është një faktor risku për astmën si dhe për një ecuri jo të mirë të patologjisë.

Astma është një sëmundje inflamatore kronike e rrugëve respiratore dhe rreziku për rishfaqjen e saj në të ardhmen është gjithnjë prezent. “Te fëmijët që kanë fishkëllima vetëm gjatë infeksioneve virale dhe ata që nuk kanë simptoma mes dy episodeve të njëpasnjëshme, kanë ecuri më të mirë.

Loading...

Fëmijët me fishkëllima apo simptoma të përsëritura kanë tendencë për shfaqjen e astmës në vitet në vazhdim”, thotë mjekja, e cila na njeh me shenjat e kësaj patologjie, faktorët që ndikojnë, si edhe metodat e diagnostikimit dhe trajtimit. Duhet thënë po ashtu se në raport me vajzat, djemtë janë më të prekur nga astma.

Çfarë është astma te fëmijët?

Astma është një sëmundje inflamatore kronike e rrugëve respiratore, që karakterizohet nga obstruksioni i kthyeshëm, joefiks, i herëpashershëm i tyre. Inflamacioni i bronkeve bën të mundur hiper-reaktivitetin bronkial, i cili shkakton ngushtimin e tyre si përgjigje ndaj stimujve të ndryshëm, të jashtëm, duke përfshirë dhe alergenët, efortin fizik dhe ajrin e ftohtë.

Sa e shpeshtë është astma te fëmijët?

Astma është sëmundja kronike më e shpeshtë te fëmijët. Prevalenca ndër vite është rritur. Mund të bashkëshoqërohet me patologji të tjera alergjike si dermatiti atopik, riniti alergjik, alergji nga ushqimet. Sipas të dhënave të fundit që vijnë nga USA, rreth 8.5% e popullatës pediatrie, është e prekur nga astma.

Cilat janë shenjat dhe simptomat e astmës në fëmijëri?

Simptomat më të shpeshta janë kolla dhe fishkëllimat. Kolla është e thatë, joproduktive dhe mund të jetë dhe simptoma (ankesa) e vetme. Kur është kështu, njihet si Kollë-variant Astma. Kolla e natës është e zakonshme.

Fishkëllima është tingull fishkëllyes i mprehtë (i fortë), që formohet nga kalimi i ajrit në bronke. Simptoma të tjera të zakonshme janë: Vështirësi në frymëmarrje, rëndim në gjoks dhe rezistencë të ulët në eforte fizike. Simptomat zakonisht përkeqësohen me kryerjen e ushtrimeve fizike ose gjatë natës, ekzacerbohen (përkeqësohen) nga infeksionet virale respiratore, shenjat e të cilave mund të zgjasin me javë te fëmijët astmatikë.

Gjithashtu, mund të kenë ndryshueshmëri sezonale si rrjedhojë e faktorëve dhe alergjive mjedisore, po ashtu përkeqësohen nga duhanpirja. Duhanpirja pasive është jo vetëm faktor risku për zhvillimin e astmës te fëmijët, por dhe vështirëson kontrollin e saj. Fëmijët astmatikë shpeshherë kalojnë bronkite të përsëritura ose kanë kollë laringale të shpeshtë. Ekzaminimi fizik te këta fëmijë, shpeshherë është normal, por mund të jenë prezente fishkëllimat, sidomos në fëmijët e pamjekuar apo tek ata me astmë të pakontrolluar.

Si diagnostikohet astma?

Shpeshherë, vendosja e diagnozës së astmës te fëmijët është thjesht klinike. Por, kërkohet patjetër vizita me mjekun alergolog për të përcaktuar diagnozën e saktë dhe të shpejtë, si dhe për të vendosur terapinë e nevojshme. Është po mjeku alergolog ai që përcakton se çfarë ekzaminimesh duhen, se si të kombinojë medikamentet dhe sa duhet zgjatur mjekimi, duke u bazuar në rezultatet e marra prej tyre.

Cila është terapia te fëmijët astmatikë?

Qëllimi i mjekimit të saktë dhe të rregullt është: Të kontrollojë simptomat, të minimizojë rrezikun e ekzacerbimeve në të ardhmen, të mbajë një funksion respirator normal, të ketë një aktivitet fizik normal, pra të ruajë cilësinë e jetës, si edhe të përdoren sa më pak medikamente e për rrjedhojë të ketë sa më pak efekte anësore. Medikamentet, në varësi dhe të moshës së fëmijës, mund të përdoren në formën e aerozolit ose nëpërmjet inhalimit nga dispozitorët përkatës (pompat) me ndihmë dhe të maskës apo aerochamberit.

Pacienti apo prindi duhet instruktuar për përdorimin e saktë të aparaturave të mjekimit. Nuk duhet neglizhuar ky moment, sepse mos kryerja në mënyrën e duhur të terapisë, përkeqëson sëmundjen. Gjithashtu, prindërit duhet të jenë pranë fëmijës në momentin e mjekimit, në mënyrë që të mos lihet asnjë hap.

Përgjithësisht, fëmijët astmatikë trajtohen ambulatorisht, por ekzacerbimet mund të kërkojnë dhe terapi në urgjencë apo hospitalizim. Cila është prognoza e astmës? Fëmijët që kanë fishkëllima vetëm gjatë infeksioneve virale dhe ata që nuk kanë simptoma mes dy episodeve të njëpasnjëshme, kanë ecuri më të mirë.

Fëmijët me fishkëllima apo simptoma të përsëritura kanë tendencë për shfaqjen e astmës në vitet në vazhdim. Djemtë janë më të prekur nga astma, në raport me vajzat, dhe fëmija që nuk ka të dhëna për alergji ka mundësi më tepër për të patur astmë në të ardhmen, sesa një fëmijë me probleme alergjike (p.sh. Riniti alergjik). Prognoza është e mirë dhe te fëmijët që vuajnë nga astma, por ruajnë dhe mbajnë në kontroll nivelin e aktivitetit dhe të funksionit të mushkërisë nëpërmjet mjekimit korrekt, të dhënë nga mjeku alergolog.

Mund të parandalohet astma?

Studime të shumta po fokusohen mbi faktorët e riskut dhe për mënyrat e mundshme për të parandaluar astmën, meqenëse prevalenca e saj po rritet në vite. Është parë që fëmijët që rriten në fshat (fermë) janë të mbrojtur ndaj fishkëllimave, astmës dhe alergjisë mjedisore. Ndotja e ajrit akuzohet si për rritjen e incidencës së astmës, ashtu dhe për ekzacerbimet e saj në pacientet astmatikë.

Duhanpirja te nënat shtatzënë është një faktor risku për astmën, si dhe për një ecuri jo të mirë të patologjisë, edhe nëse ndiqen këshillat e mjekëve dhe kryhet mjekimi në mënyrë korrekte. Nuk duhet neglizhuar dhe duhanpirja pasive si një faktor risku për shfaqjen dhe ecurinë e astmës. Më tepër se gjysma e fëmijëve që kanë kaluar një infeksion të rëndë të rrugëve respiratore nga Virusi Respirator Sincicial (RSV), janë diagnostikuar më vonë me astma bronkiale. Studime të ndryshme tregojnë që risku i shfaqjes së astmës është më i vogël te fëmijët që kanë kaluar infeksione bakteriale të herëpashershme, që banojnë në zona rurale, që bëjnë jetë kolektive (çerdhe, kopshte, shkolla) apo që kanë motra e vëllezër më të mëdhenj.

Zhvillimi dhe shfaqja e astmës si patologji ka në themel një proces mjaft të komplikuar fizpatologjik, i cili ndikohet nga një sërë faktorësh gjenetike dhe mjedisore. Për këtë arsye, deri më sot, pavarësisht studimeve të shumta shkencore, nuk është bërë e mundur gjetja e një rruge apo përkujdesje paraprake për parandalimin e shfaqjes së astmës.

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.