Profilet/Cilat janë fytyrat e reja të një qeverie të Albin Kurtit

0

Kandidati për Kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka publikuar sot emrat e kandidatëve për anëtarë të qeverisë nga Vetvendosja, nëse ai do të arrijë të krijojë koalicionin aq shumë problematik me LDK-në. Ajo që bie në sy menjëherë është se Kurti ka shmangur nga qeverisja emra tradicionalë dhe të vjetër të VV, madje dhe të njohur si besnikë të tij, për të surprizuar me disa figura të reja. Lapsi.al është përpjekur të bëjë disa portrete të shkurtra të tyre për të krijuar një pasqyrë të qeverisë së ardhshme të Vetvendosjes.

Haki Abazi kandidat për zv kryeministër

Loading...

Haki Abazi, iu bashkua lëvizjes Vetëvendosje si një prurje e re, pas ndarjes më të madhe që pati kjo parti kur grupi i drejtuesve kryesorë u larguan për të marrë drejtimin e PSD-së. Në gusht të këtij viti, ky inxhinjer 45 vjeçar, i diplomuar në Universitetin e Prishtinës dhe në George Mason në SHBA, mori edhe teserën partiake të Vetëvendosjes. Ai mbart 20 vite përvojë pune në pozita të larta menaxheriale në organizata të ndryshme ndërkombëtare, nëpër shumë vende të botës dhe mbi 1 mijë projekte të realizuara. Tani është duke bërë studime në fushën e Energjisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në Universitetin e Cumbrias në Britaninë e Madhe.

Ai u bë i njohur për publikun shqiptar si pasojë e qëndrimeve dhe analizave që ka mbajtur në media dhe në fushatën e zgjedhjeve të 6 tetorit u rendit shumë lart në listën e Vetëvendosjes me nr 8. Ai u bë gjatë fushatës pjesë e një skandali pasi u përlesh fizikisht në studion televizive të T7 me ish desidentin e Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj.

Ky baba i tre fëmijve u zgjodh për herë të parë deputet në këto zgjedhje dhe tani mendohet të jetë pretendent për zv kryeministër i dytë, pasi njëri nga vendet do t’i takojë LDK, gjithmonë sëse marrëveshja arrihet.

Blerim Reka, kandidat për ministër i jashtëm

Pa dyshim që Blerim Reka do të jetë surpriza më e madhe e një qeverie të mundshme Kurti. Pak muaj më parë ai ishte kandidat i shqiptarëve të Maqedonisë për postin e Presidentit të Republikës, në një garë ku u rendit i treti. Por postin shtetëror që nuk e mori dot në Shkup, me sa duket këtij diplomati 60 vjeçar duket se po ia propozojnë në Prishtinë, sipas modelit të qeverive të rilindjes, që ka futur në kabinet shqiptarë nga jashtë kufirit.

Blerim Reka ka qenë më parë ambasador i Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian në Bruksel. Gjithashtu ka mbajtur pozita këshillimore diplomatike dhe ligjore si Këshilltari i Presidentit të Republikës së Kosovës për Integrimin në BE. Reka ishte këshilltar juridik i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe anëtar i Ekipit të Ekspertëve për Strategjinë Kombëtare dhe Integrimin në BE. Me sa duket kjo eksperiencë e gjatë e këtij profesori të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të drejtës së BE në Universitetin e Evropës Juglindore, e ka joshur Kurtin t’i ofrojë atij postin e kryediplomatit, në një periudhë kur marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Brukselit nuk janë në pikën më të lartë të mundshme.

Albulena Haxhiu, kandidate për ministre e Drejtësisë

Albulena Haxhiu, ndoshta ishte emri më i përfolur dhe më pak surprizues për këtë post, megjithëse ajo do të jetë e para ministre e Drejtësisë e dënuar më parë për dhunë ndaj institucioneve.

Kjo 32 vjeçare, nënë e dy fëmijëve, njihet si një nga aktivistet e hershme të lëvizjes (anatësuar në 2010) dhe nga besniket e Albin Kurtit. Roli i saj në VV u shtua shumë pas ndarjes që pësoi kjo parti dhe vizibiliteti i saj në konferencat për shtyp u rrit ndjeshëm.

Albulena Haxhiu ka qenë deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës tri mandate radhas. Për dy herë me radhë ajo ka drejtuar Komisionin për Legjislacion si një ndër komisionet më të rëndësishëm të Kuvendit. Ajo ka qenë një nga deputetet më të zëshme në Kuvendin e Kosovës, me theks të veçantë në çështjet që lidhen me drejtësinë.

Ajo është dënuar nga gjykata sëbashku me Albin Kurtin me një vit e dy muaj burg për hedhjen e gazit lotësjellës në parlament, në kohën kur diskutohej marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi. Albuena u vu atëhere në qendër të vëmendjes, pasi u akuzua se e kishte fshehur gazin lotsjellës në organet e saj gjenitale për të mos u kapur nga rojet e parlamentit.

Në zgjedhjet e 6 tetorit ajo ishte numri 3 i listës, direkt pas Kurtit dhe Konjufcës (kryetar i ri i parlamentit) ndaj dhe kandidatura e saj për ministre e Drejtësisë nuk përbën ndonjë surprizë.

Arben Vitia kandidat për ministër i Shëndetësisë

Arben Vitia, është i vetmi i kësaj lëvizje që kërkon bashkimin kombëtar, që është diplomuar në Tiranë për mjeksi. Ky 44 vjeçar është aktivist në Lëvizjen Vetëvendosje që prej 2010 ku është angazhuar dhe ka drejtuar Komitetin për Shëndetësi. Ai ka ushtruar profesionin e mjekut në Mitrovicë dhe më pas qe një nga njerëzit e besuar të Albin Kurtit që u dërgua në bashkinë e Prishtinës, pasi Shpend Ahmeti e fitoi atë.

Ai shërbeu si Drejtor në Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, e cilësuar si një nga drejtoritë me të suksesshme gjatë dy mandateve. Me sa duket kjo eksperiencë po e katapulton atë drejt postit të ministrit të Shëndetësisë.

Besnik Bislimi dhe Rozeta Hajdari për Financat dhe Ekonomnë

Dy figurat më pak të njohura si politikanë por me një CV të pasur në profesionet e tyre janë kandidatuarat e Besnik Bislimit si ministër i Financave dhe Rozeta Hajdari tek Ekonomia. I pari ka qenë më parë edhe deputet e aktualisht nënkryetar i VV, por ai për arsye personale dha dorëheqjen nga parlamenti dhe nuk mori pjesë as në garën e fundit elektorale. Ai është diplomuar në fillim të viteve ’90 në Kroaci dhe ka mbrojtur doktoratën në universitetin e Freibergut Gjermani për makroekonomi.

Ndërsa Hajdari ka qenë Koordinatore për arsimin e lartë dhe qeverisjen në Agjensinë austriake të Zhvillimit.

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.