Ambasadori kinez në Shtetet e Bashkuara Cui Tiankai tha se Kina dhe ShBA-ja duhet të shfrytëzojnë mundësitë në vitin 2021 për të shmangur “dëmtimin e pariparueshëm” të lidhjeve dypalëshe.
Ai e tha këtë të mërkurën drejtuar galasë vjetore të Këshillit të Biznesit ShBA-Kinë
“Kjo prirje e rrezikshme po vazhdon ende. Nëse lihet e pakontrolluar, do të shkaktojë dëme të pariparueshme në interesat themelore të dy vendeve dhe popujve,” tha Cui, duke shtuar se “më shumë se kurrë duhet të bëhen përpjekje për të synuar lart dhe për të gjetur drejtimin e duhur për marrëdhëniet Kinë-ShBA.”
Ambasadori theksoi se viti 2021 është thelbësor për hapjen e terrenit të ri dhe mbajtjen e një vrulli të ri në lidhjet dypalëshe, duke shtuar se dy vendet fitojnë nga bashkëpunimi dhe humbasin nga kundërvënia.
Duke theksuar se interesat e përbashkëta janë gjithmonë të parat, Cui tha se nuk ka asnjë dallim që të justifikojë konfliktin apo kundërvënien, pavarësisht se ka mosmarrëveshje. (Albana)