Në orët e mbrëmjes së të shtunës në Emergjencën e Spitalit të Prizrenit, ka ndodhur një përplasje fizike mes stafit dhe tre personave.
Mediat bëjnë me dije se si pasojë e një konflikti të tillë janë lënduar sulmuesit dhe disa anëtarët të stafit mjekësor. Policia e Kosovës në raportin për 24 orët e fundit njofton se në emergjencë ka ndodhë një përleshje në mes të tre të dyshuarve meshkuj kosovarë dhe katër personave personel mjekësor.
“Sipas informatave njëri nga të dyshuarit ishte lënduar në Prishtinë dhe ka kërkuar ndihmë në Prizren, por stafi mjekësor nuk e ka trajtuar rastin dhe aty ka nisur debati. Si pasojë e përleshjes lëndime të lehta trupore kanë pësuar edhe stafi mjekësor edhe të dyshuarit. Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe me urdhër të prokurorit njëri nga ta është dërguar në mbajtje ndërsa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka dënuar sulmin fizik që është bërë mbrëmë ndaj infermierëve nga ana e familjarëve në Urgjencën e Spitalit të Prizrenit.
Hoti përmes një shkrimi ka deklaruar se mjekët, infermierët dhe tërë personeli mjekësor e mbështetës, gjatë situatës me pandeminë COVID-19, duhet vlerësuar, e jo sulmuar.
“Ngjarja e mbrëmshme në Urgjencën e Spitalit të Prizrenit, ku familjarët kanë sulmuar fizikisht infermierët në detyrë është gjest i shëmtuar ndaj atyre që punojnë për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e qytetarëve, përfshirë edhe të atyre që i kanë sulmuar. Mjekët, infermierët dhe tërë personeli mjekësor e mbështetës, gjatë këtyre muajve sa po përballemi me pandeminë Covid-19, kanë dëshmuar përkushtim të lartë që duhet vlerësuar, e jo sulmuar. Sulmet ndaj heronjve të kohës janë të turpshme dhe të pa pranueshme”, ka shkruar kryeministri Hoti në rrjetin social “Facebook”, të dielën.