Një rrjedhje gazi në një shkollë private dje në Tiranë mund të kishte rezultuar fatale, nëse nuk do të ishte pikasur në kohë.
Gjashtë nxënës patën nevojë për trajtim mjekësor, në shkollën që përdorte ngrohje me gaz propan dhe kishte një depozitë gazi 1000 litërshe të mbushur plot. Kjo depozitë ishte e pa certifikuar nga Inspektorati Shtetëror i Enëve nën Presion.
I ftuar në “Wake Up”, inspektori Riza Dokaj sqaroi pse ndodhi kjo rrjedhje gazi, që për pak rrezikoi jetën e nxënësve.
“Inspektoriati Shtetëror Teknik, me të marrë njoftimin se në një institucion privat arsimor kishte ndodhur rrjedhje gazi, u nisën inspektorët dhe nga inspektimi në terren rezultoi se subjekti i mësipërm kishte montuar dy rezervuar gazi përkatësisht nga 1750 litra.
Rezervuarë gazi, të cilat ai i kishte mbushur po ditën e djeshme në mëngjes. Dhe mbushja e rezervuarve të gazit, me rregull nuk duhet të kalojë 85 për qind të volumit të saj.
Në rastin konkret ata e kishin mbushur mbi 85%, gati e kishin mbushur 100%. Në momentin e mbushjes temperatura mund të ketë qenë -3 gradë, në orën 8 e 45 kur ka ndodhur rrjedhja ka qenë +5. Me rritjen e temperaturës rritet edhe presioni. Ky është një gabim njerëzor i bërë nga ata që e kanë furnizuar”, sqaroi ai.