Në sallën “Ismail Qemal Vlora”, pranë shtabit elektoral të PD, zbukuruar vetëm me fotografi nga aktiviteti i Atit të Kombit, Instituti i Studimeve Politike “Ismail Qemal Vlora” në bashkëpunim me Shoqatën Mbarëkombëtare “Ismail Qemali Vlora” zhvilluam Akademinë Përkujtimore: “Ismail Qemal Vlora- themelues i shtetit shqiptar”.
Në këtë veprimtari, ishin të pranishëm intelektualë të Vlorës, personalitete të ndryshme të jetës së qytetit, si edhe të ftuar nga Tirana!
Aktivitetin e nderoi me pjesëmarrjen e tij, stërnipi i Ismail Qemalit, Qemal Vlora.
Pas nderimit të Himnit Kombëtar mbajta një kumtesë për Ismail Qemalin, si Ati i Kombit, shtetari i madh, vizionari si Ai.
“Ismail Qemali u largua nga jeta më 24 janar 1919, për të hyrë dhe qëndruar në altarin e pavdekshmërisë sonë kombëtare, si shtetari më i madh që kemi patur dhe figura më e dashur politike dhe e iluminuar e shqiptarisë!”- theksova në fjalën time.
Në këtë aktivitet u mbajtën disa kumtesa rreth figurës, aktivitetit e personalitetit të Ismail Qemalit.
Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, bashkëdrejtues i aktivitetit mbajti një kumtesë për jetën dhe veprën e Atit të Kombit.
Studiuesi Gëzim Zilja, ish- deputet dhe ish- kryetar i bashkisë së Vlorës, mbajti kumtesën: “Katër telegrame të Ismail Qemalit”, drejtuar kancelarive të Evropës dhe institucioneve shqiptare të kohës, duke shpalosur kështu personalitetin politik dhe vizionin e ardhmërisë së tij.
Dr. Albert Abazaj mbajti kumtesën: “Ismail Qemal Vlora dhe flamuri kombëtar në poezinë popullore shqiptare”.
U lexua kumtesa e z. Ndriçim Kulla: “Ismail Qemali, politikani më i shquar në historinë e Shqipërisë, pas Heroit kombëtar, Skënderbeut”.
Akademinë Përkujtimore e përshëndeti edhe stërnipi i i Atit të Kombit, zoti Qemal Vlora.
Në fjalën përmbyllëse theksova: “Kjo veprimtari është një pikë uji në oqean, në nderim të veprës së Atit të Kombit me shpresën që shumë shpejt ashtu si edhe në Prishtinë të ngremë bustin e tij edhe në Shkup!”
Në përfundim të aktivitetit vendosëm së bashku me të pranishmit kurora me lule dhe u përuëm me veneracion në varrin e Atit të Kombit tonë, themeluesit të shtetit të parë shqiptar!
Një kurorë, si: “Apoteozë madhështore e të gjithë popullit, kurorë që AI e fitoi me punën e tij të madhe në shërbim të vendit të tij…”


