Ndërkombëtarët kanë vendosur si kusht ndaj KQZ-së që të mos lejojnë që të kandidojnë persona të dyshuar me lidhje kriminale apo të dënuar. Një apel i tillë është dhënë nga ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim gjatë një takimi të zhvilluar kohëve të fundit me kreun e KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
Kryekomisioneri Celibashi gjatë konferencës së sotme për shtyp u shpreh se institucioni që ia drejton i ka kapacitetet për të kontrolluar nëse një kandidat është me rekorde kriminale ose jo, duke shtuar kjo do të kontrollohet me institucionet ligjzbatuese në vendin tonë.
“KQZ i ka kapacitetet njerëzore dhe teknike, ne po punojmë e përmirësojnë në mënyrë rrënjëzorre sistemin e raportimit dhe të bërjes publike të të dhënave të kandidatëve për deputetë. Po synojmë që në momentin e parë të bëjnë publike ata që kërkojnë vëmendje nga ana e KQZ-së”, tha Celibashi.
Kryekomisioneri us shpreh gjithashtu se në rastet kur do të kërkohet KQZ mund t’i drejtohet për ndihmë për të verifikuar edhe institucioneve ndërkombëtare për të bashkëpunuar në këtë drejtim.
Më 15 janar, ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim u takua me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve Celibashi dhe Nënkomisioneren Pelinku për të shprehur mbështetjen për rolin e tyre kritik në sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Sipas njoftimit zyrtar të ambasadës, Kim nënvizoi nevojën për të zbatuar në kohë dhe mënyrën efikase identifikimit biometrik dhe masa të tjerë të nevojshme.
“Duke kujtuar letrën e saj të 31 gushtit drejtuar Kryetarëve të Partive, ajo kujtoi KQZ-në për përgjegjësinë e saj për t’u siguruar që kandidatët të jenë në përputhje me ligjin shqiptar. Ajo nënvizoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përmbushjen e kërkesave të popullit shqiptar për politikë më të pastër, duke filluar nga politikanë më të pastër. Në këtë drejtim, ajo përmendi se Sekretari Amerikan i Shtetit ka përcaktuar publikisht individë të caktuar për korrupsion madhor. Këto përcaktime mbeten në fuqi. Ata ranë dakord që KQZ-ja duhet të marrë të gjitha masat e mundshme, jo vetëm për të mundësuar ndjekjen penale të shkeljeve, por së pari për t’i parandaluar shkeljet, përfshirë duke zbatuar masa për të parandaluar blerjen e votave dhe manipulimin e votave. Shtetet e Bashkuara mbeten një mbështetës i palëkundur i Shqipërisë dhe popullit shqiptar ndërsa ata punojnë për një demokraci më të mirë, udhëheqës më të mirë dhe një të ardhme më të mirë”, thuhet në një njoftimin për shtyp.