Eduart Sharka, kryetari i Sindikatës së Fermerëve, thotë se shifrat e ulëta të aplikimeve tregojnë se mosbesim tek institucionet. “Aplikuan 15 mijë veta nga 60 mijë fermerë me NIPT, tregon që nuk ka besim. Të harxhosh edhe 500 mijë euro për të hartuar studimin nga të huajt si përfitohet nafta falas, mund të ishte shmangur. Nuk jemi pyetur ne si grupe interesi”.
Hartimi i studimit të fizibilitetit për naftën pa taksa krijon debat edhe për mënyrën sesi është projektuar nga ekspertët e huaj. “Thuhet kush aplikon i pari përfiton më shpejt, SIM und t’i thuash një fermeri që ke fituar por nuk e përfiton se ke ardhur vonë, ashtu si u bë me subvencionimin e skemës për plasmas”, thotë Sharka.
Eksperti i bujqësisë, Ilir Pilku thotë se është realizuar vetëm 30% të projektimit të planit. “Kjo përbën problem sepse do të thotë që nuk e ke bërë mirë studimin. Edhe 95 % do të ishte problem”. Ndonëse skema është për t’u përshëndetur, Pilku thotë se për fermerët që kanë kultivime specifike, kostot janë më të larta. “Në një pemëtore shërbimet teknike shkojnë deri në 1000 euro pasi ka punime, spërkatje, transport të produktit”.
Të pakënaqur nga mbështetja e deritanishme, Sindikata e Fermerëve, kërkon që skemat për bujqësinë të bëhen me grupet e interesit, pasi përfitimi i deritanishëm është mjaft i ulët. “Vijnë skafet e sheikëve mbushen me naftë pa taksë, ndërkohë që fermerët e blejnë naftën me çmimin e tregut. Duhet të ulemi dhe të studiojmë së bashku potencialin që ka bujqësia për të hartuar skema që i përshtaten fermerit”.