Teksa sot pritet finalizimi i marrëveshjes me një kompani turke për vaksinat anti-covid kineze, vjen një reagim nga kryeministri Edi Rama
Ky i fundit, nga Stambolli ka shprehur optimizmin e tij, ndërsa ka treguar se nuk ka rrugë tjetër pasi do ia dalin për sigurimin e shumë vaksinave.
“Në Stamboll për shumë vaksina. O ia dalim o ia dalim, s’ka tjetër dhe po s’ia dolëm ne askush tjetër nuk ka si ia del dot!”, shkruan Rama.
Burime për “BalkanWeb” bënë me dije dje se Rama do të zhvillojë takime zyrtare me kompanisë turke “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret”, për finalizimin e marrëveshjes për furnizimin e Shqipërisë me vaksina kineze. Kujtojmë se, Parlamenti miratoi dy ditë më parë, aktin normativ për sigurimin e vaksinave kineze Coronavac, ku bëhet e ditur marrëveshja e arritur me “distributorin e autorizuar “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret”A.Ş., për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën e inaktivizuar kundër COVID-19 (Vero Cell) Coronavac, të krijuar nga Sinovac Life Science Co Ltd. dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës”.
Të njëjtat burime thanë se Rama pritet të zhvillojë një takim edhe me presidentin turk, Erdogan.
Vizita e kryeministrit Rama në Turqi vjen në prag të çeljes zyrtarisht të fushatës elektorale, ndërkohë që PS njoftoi se nisjen e betejës elektorale drejt 25 prillit, është ditën e sotme në 17:00 nga sheshi Skënderbej.