Partitë politike çelin sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit. Por ndryshe nga herët e tjera, këtë vit fushata do të mbahet nën diktimin e rregullave anti-covid, ku ekspertët e Komitetit Teknik vendosën që të ndalohen edhe grumbullimet. E para që hap sot fushatën do të jetë Partia Socialiste, në orën 17:00 në sheshin Skënderbej, ndërsa vijon puna për ndërtimin e podiumit.
Ndërkohë që vetëm gjysmë orë më vonë do të çel fushatën koalicioni opozitar. Ky i fundit ka vendosur që të mbajë ceremoninë në sheshin ‘Nënë Tereza’. Në një raportim live për News24 nga selia e PS-së, gazetari Ergys Gjençaj deklaroi se ndryshe nga herët e tjera ky nuk do të jetë një tubim siç jemi mësuar të shohim, ku ka pasur me mijëra qytetarë. Sot do të ketë një tubim me distancim social, ku do të pasqyrohen edhe aktivitetet e qeverisë gjatë këtij mandati 4-vjeçar. Pika kulmore e këtij tubimi pritet të jetë momenti kur kryeministri Edi Rama të mbajë fjalimin. Mësohet se ky shesh do të mbushet gati me karrige, ku do të qëndrojnë kandidatët për deputetë, për të respektuar kështu masat anti-covid.