Trafikimi i emigrantëve të paligjshëm nga vendet e Lindjes së Mesme përmes Shqipërisë kryhet përmes bashkëpunimit të grupeve kriminale shqiptare, marokene dhe kurde, të gjithë me banim në Shqipëri.
Këto grupe punojnë së bashku për të marrë grupe migrantësh nga kufiri me Greqinë dhe për t’i transportuar ato përmes Shqipërisë, drejt vendeve të BE-së. Ky shërbim kushton rreth 250 euro për imigrant për ata që udhëtojnë në grupe. Për ata që dëshirojnë të udhëtojnë vetëm, çmimi mund të shkojë deri në mijëra euro.
Një anëtar i një grupi trafikantësh i tregoi Exit se: ‘Ne kemi kontakte, marrim vendndodhjet e sakta dhe kontaktojmë shoferët’. Roli i tij është të organizojë shoferë, të negociojë, të rregullojë pritjen e imigrantëve dhe të menaxhojë të gjitha pagesat për njerëzit e përfshirë.
Marrëveshjet që bëhen ndërmjet imigrantëve dhe ndërmjetësve
Emigrantët që dëshirojnë të transportohen drejt BE-së, zakonisht duhet të kalojnë përmes një ‘agjencie’ në Janinë. Ata paguajnë një tarifë për ‘agjentin’ që i lidh me shoferët në Shqipëri. Shoferi i pret emigrantët në kufirin shqiptaro-grek, ku ata kalojnë në mënyrë të paligjshme. Para kalimit të kufirit, njërit prej emigrantëve i jepet numri i shoferit që do t’i presë në kufirin shqiptar, në një vend të paracaktuar.
Foto 1: Diskutime për shmangien e policisë.
Udhëtimi kryhet në furgona ose me makina me qira. Kohët e fundit edhe kamionët e mallrave po përdoren si një mënyrë për të shmangur identifikimin nga policia.
Një makinë bosh ecën disa kilometra përpara makinës me emigrantë për të parë se ku ndodhet policia dhe ku janë vendosur postoblloqet. Në raste kur ka policë, shoferi i zbret emigrantët në fshatin më të afërt dhe kalon postobllokun me makinën bosh. Disa kilometra më tej, ai i dërgon emigrantëve vendndodhjen e tij dhe i pret sa të vijnë.
Nëse ata arrijnë me sukses Tiranën, shoferi i lë në vendin e dakordësuar dhe i dërgon një foto dhe vendndodhjen një ‘agjenti’ të agjensisë në Janinë, i cili më pas i dërgon pagesën përmes Western Union. Ndërmjetësi pastaj përdor djem të rinj, te paidentifikuar me të, për të tërhequr paratë nga zyrat e Western Union në mënyrë që të mos zbulohet identiteti i tij.
Foto 2: Provat e origjinës arabe të emigrantëve
Në Tiranë emigrantët strehohen në një rrjet ‘banesash të sigurta’ në Laprakë. Aty ata shplodhen përpara udhëtimit tjetër. Një shofer i intervistuar nga Exit tha se mori 50 euro për emigrant, për udhëtim. Ai bëri tre udhëtime të tilla para se të kapej nga policia. Arsyeja që ishte përfshirë në këtë punë ishte nevoja për para për të mbajtur familjen e tij. Kur u pyet se çfarë kategorie njerëzish emigrojnë, ai shpjegoi se ata janë njerëz normal dhe ka shumë gra e femijë.
‘Burra, gra, fëmijë, shumë gra dhe fëmijë,’ tha ai, duke shtuar se ata janë thjesht ‘njerëz normalë’ që po ikin nga lufta në vendet e tyre. Shoferi shtoi se ata kanë shumë frikë nga policia dhe kjo është arsyeja pse paguajnë për transportin me shpresën se nuk do të kapen.