Ekziston një adresë shqiptare, e cila rrezikon seriozisht bërjen publike të identitetit të fëmijëve në të gjithë Shqipërinë, përfshi edhe adresën e tyre.
Në këtë faqe gjenden lehtësisht të dhënat sensitive dhe adresat e shtetasve shqiptarë, përfshirë këtu edhe ato të fëmijëve nën moshën 18 vjeç.
Me një kërkim të thjeshtë në këtë faqe, aksesohen të dhëna personale dhe sensitive të personit në fjalë, por edhe adresa të mirëfillta të vendbanimeve, statusi civil dhe familja dhe gjithçka tjetër, sikur të ishte një zyrë e mirëfilltë e Gjendjes Civile
Në këtë konkluzion kanë dalë ekspertët e CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Zyrës së Mbrojtjes Ligjore Falas për Fëmijët dhe të Rinjtë në Shqipëri, bazuar në disa raportime të bëra pranë Platformës Kombëtare i SIGURT.al.
Në një lidhje Skype për “Wake Up”, Klaudio Pulaha, Menaxher Rastesh- CRCA/ ECPAT tregoi si u zbulua kjo faqe.
“Edhe më herët ne kemi folur për platformën kombëtare për internet të sigurt ‘I SIGURT.AL’, ku çdo fëmijë, i ri, adoleshent, por edhe persona mbi moshën 18 vjeç, raportojnë në faqe dhe adresa të ndryshme, të cilat kthehen në shqetësim të vazhdueshëm për fëmijë dhe jo vetëm.
Kjo adresë është raportuar në platformën ‘I SIGURT.AL’. Kemi marrë disa raportime nga disa fëmijë nën moshën 18 vjeç dhe respektivisht të grupmoshës 16-17 vjeç, të cilët kanë raportuar në vazhdimësi.
Kanë qenë diku te 4-5 raportime të ndryshme, të cilët nuk kanë pasur lidhje më njëri- tjetrin. Nuk duam ta bëjmë publike, sepse nëse e bëjmë publike, mund të bëhet virale dhe te dhënat të vidhen dhe të keqpërdoren nga persona që nuk janë të përgjegjshëm dhe kanë qëllim t’u bëjnë keq të fëmijëve dhe adoleshentëve.
Adresa është shqiptare nga verifikimet tona dhe nëse vë emrin, mbiemrin e një personi, aty të dalin të dhëna mjaft sensitive. Pra dalin të gjitha të dhënat familjare, adresa, trungu familjar. Kjo ndihmon grabitqarët seksual”, bëri të ditur ai.