Një tjetër efektiv policie ka humbur jetën nga koronavirusi. Mësohet se Kryekomiasar Bedri Dani nuk e ka fituar betejën me Covid 19.
Lajmin e ka bërë të ditur Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim, përmes një postimi në Facebook.
“Me dhimbje morëm lajmin për largimin përfundimtar nga kjo jetë të kolegut tonë, Kryekomisar Bedri Dani, si pasojë e këtij virusi vdekjeprurës që ka mbërthyer një botë të tërë.
Shprehim nderimet tona për gjithë kontributin e tij të vyer në shërbim të komunitetit dhe vendit në radhët e Policisë së Shtetit, në të gjitha nivelet deri në ato drejtuese.
I përcjellim ngushëllimet tona më të ndjera familjes, të afërmve, miqve dhe gjithë kolegëve Oficer.
Le të lutemi që Kryekomisar Bedriu të prehet në paqe dhe të jetë e paharruar vepra dhe kontributi i tij!”, shkruan Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim.
6 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi në Shqipëri në 24 orët e fundit, ndërsa janë konfirmuar 360 raste të reja.