Nga Kleves Bitro
Me shpejtësi po kalojnë ditët dhe shumë pak na ndajnë nga 25 prilli i zgjedhjeve historike dhe epike për rivendosjen e dinjitetit tonë si njerëz, shoqëri, sistem demokratik etj.
Mirëpo këto zgjedhje shumë bashkëqytetarë tanët i gjejnë pa shtëpi, pa një çati ku të futin kokën, pa një vend ku të strehojnë familjen e ku rrumpalla shtetërore e atij që çirret për të tjerët se duan të rikthejnë kohën e rrumpallës, është kaq e dukshme dhe bezdisëse. E pra, Kryeministri i VKM-ve për tendera qensh nuhatës inekzistentë dhe i PPPve e KÇKve, pas tërmetit të fundvitit 2019 doli dhe duke u mburrur që ishte shndërruar në lypës fondesh, deklaroi se i gjeti 1 miliardë euro për rindërtimin e shtëpive të atyre të shkretëve që edhe sot një vit e gjysëm pas premtimeve të rrumpallhanës Kryeministër, janë pa shtëpi e katandi. Fatkeqësisht EDi Rama nuk është as më pak dhe as më shumë por një demagog dhe i paaftë që merret me arritje imagjinare në 3D dhe asnjë rezultat konkret. Plani i tij i rindërtimit i ngjan si pikë uji planit të Hugo Chavez në Venezuelën e vitit 2000 e që ish marksisti venezuelian e pagëzoi “Plani Bolivar 2000”. Për të gjithë ata që nuk e dinë, në fundin e vitit 1999, Venezuela pësoi një katastrofë natyrore nga shiu i shumtë në territorin e saj dhe një provincë e quajtur Vargas kishte humbje të jetëve njerëzore, pasurisë së qytetarëve, shtëpiveetj. Pasi refuzoi ndihmën që vetë autoritetet kompetente venezueliane kërkuan tek SHBA dhe kudo që mundën, Hugo Chavez që edhe ai virtualisht udhëhiqte një “revolucion’ si Rama që udhëheq “reformat”, shpalli se do rindërtonte të gjithë zonën me planin “Bolivar 2000”. Mirëpo si Rama sot edhe Chavez atëherë emëroi në krye të planit një të ngjashëm me Arben Ahmetajn që shkonte gjithandej dhe deklaronte se po rropatej për vënien në jetë të Bolivar 2000, siç bëjnë pushtetarët tanë sot me rindërtimin më Laç, Durrës apo Fushë Krujë. Në të vërtetë ky njeriu i Chavez bënte kuplara dhe qejf me dashnore siç në fakt mos e dhëntë zoti të bëjë Ahmetaj që është në një marrdhënie të ndërlikuar familjare e jashtëmartesore sot që flasim. Në atë kohë, ky i njeriu i Chavez si ky që ka caktuar Rama këtu, u lidh me spekulantë, bankierë, gjoja biznesmenë që ndihmuan të hartohej një plan për të zhvatur 100 milionë dollarë 20 vjet më parë, sikur do ndërtonin shtëpitë e planit “Bolivar 2000”. Nëse u duket e ngjashme me ndonjë skemë të Shqipërisë duhet të dini se marksistët, komunistët, rrumpallhanët ideologjikë e kaotikë kanë një shkollë dhe bindje të brendshme për këto gjëra. E pra si në Laç, Fushë Krujë e Durrës ku para kamerave shfaqen kuadrate të vijëzuara tokash, kufij të pretenduar që ndajnë shtëpitë mes tyre, ndonjë godinë e ngritur nxitimthi me cilësi fare të dobët, por që nuk dallohet nga kamerat, ashtu dhe ke Bolivar 2000, pas një viti të shpalljes së planit të Chavez, në terren nuk ishte bërë asgjë. Mirëpo në atë kohë Chavez mori në dorë një sondazh siç i ka përpara sondazhet dhe Edi Rama, dhe pa që popullariteti i tij kishte rënë ndjeshëm. Vendosi atëherë të thërrasë për vizitë Fidel Kastron, e disata vizitë në fakt, e bashkarisht të vizitonin shtëpitë e reja të Bolivar 2000. Ahmetaj i Venezuelës i zënë ngushtë i sugjeroi Chavezit të shmangte vizitën për shtëpitë e reja, sepse në fakt nuk kishte ngritur asnjë dhe kishte rruajtur lekët me miqtë e tij biznesmenë. Chavezi u bë xhind me këtë sugjerim të Ahmetajt të Bolivarit dhe e kërcënoi duke i thënë të ndërtonte shtëpitë ose do e pinte e zeza. Dhe Ahmetaj i Chavez që është në fakt Ahmetaj dhe i Ramës telefonoi miqtë e tij dhe u tha të sajonin diçka sa për mediat, ndonjë shtëpi me mur kartonxhesi se duhej patjetër të tregonin një rezultat. Dhe ashtu ndodhi. Edhe tek ne premtime pas premtimesh iku dimri i parë i 2019, iku i dyti i 2020, jemi pranverë e 2021 dhe nuk ka asnjë rezultat me rindërtimin e shpallur nga i ngjashmi i Bolivar 2000. Ndaj të nderuar qytetarë, nëse fondet për rindërtimin kanë avulluar, atëherë është faji i korrupsionit, i sistemit por jo i Ramës dhe shpurës sharlatane që edhe diellin e lindin në të dy anët e horizontit njëkohësisht. Kur propoganda e Ramës filmon godina të lyera, të rregulluara apo ndonjë të re, ta dini janë vetëm për pak çaste sa të filmojë kamera, asgjë më shumë. Nuk ka dhe nuk ka për të patur shtëpi të vërteta nga binjaku i Chavezit dhe “Bolivar 2000”. Ndaj në 25 prill vota masive kundër Edi Ramës është vota që rindërton jetët tona, shtëpitë dhe bizneset e atyre që i kanë apo duan t’i bëjnë. Vota kundër Edi Ramës dhe njerëzve të tij të babëzisë dhe lukunisë asgjësuese të sistemeve tona identitare dhe genetike, është shpëtimi i secilit prej nesh dhe vendit tonë të dashur. Edi Rama dhe “Bolivar 2000” janë aksident historik që nuk duhet të përsëritet. Le ta dërgojmë në pension politik Dramën që ka kapur Shqipërinë dhe kërkon ta fundosë. Ne nuk mund të lejojmë Maduron e Shqipërisë të tallet me një komb të tërë. 25 prilli është dita e shpagimit dhe çlirimit…