“Nisma e Kinës ‘Një brez, një rrugë’ është bërë një produkt i mirëpritur publik dhe platforma më e madhe e bashkëpunimit ndërkombëtar. Është një rrugë me perspektivë të gjerë drejt zhvillimit të përbashkët”, tha të martën zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Wang Wenbin.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë, në tremujorin e parë të këtij viti, investimet e drejtpërdrejta në fushat jo-financiare ndaj vendeve pjesëmarrëse të nismës u rritën 5.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në përgjigje të pyetjes lidhur me këtë, zëdhënësi Wang prezantoi se në tre muajt e parë të sivjetshëm, vlerat e kontratave të nënshkruara dhe ato të zbatuara në projektet brenda kornizës “Një brez, një rrugë” janë përkatësisht 19.4% dhe 12.4% më shumë në krahasim me shifrat e vitit 2020. Ndërkohë, numri i trenave të mallrave që udhëtonin në itineraret përkatëse arriti në 3398, duke transportuar 322 mijë kontejnerë standard produktesh, me një rritje respektivisht 75% dhe 84%.
“Deri tani, Kina ka nënshkruar mbi 200 dokumente me 140 vende e 31 organizata ndërkombëtare për ndërtimin e nismës ‘Një brez, një rrugë’. Krahas përparimeve në këtë proces, një kontigjent i madh megaprojektesh të bashkëpunimit janë në zbatim e sipër, të cilat kanë ngritur nivelin e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare dhe të ndërlidhshmërisë dhe kanë krijuar qindra mijë vende pune për vendet pjesëmarrëse. Nisma po jep kontribut të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe shtimin e mirëqenies së popujve vendorë”, shtoi Wang.
Ai vuri në dukje se në luftën anti-epidemike, trenat e mallrave janë bërë kanal i rëndësishëm i qarkullimit të materialeve mjekësore, nëpërmjet të cilave, janë dërguar nga Kina mbi 11 milionë njësi produkte anti-epidemike. Ndërkohë, Kina po zhvillon bashkëpunim me vendet pjesëmarrëse të nismës si Indonezi, Emiratet e Bashkuara Arabe, Malajzi, Pakistan, Turqi etj., për prodhimin e materialeve mjekësore, punët e parandalimit e kontrollit, të shëndetësisë publike dhe të mjekësisë tradicionale.
Sipas zëdhënësit të diplomacisë, pala kineze është e gatshme ta çojë përpara me vende të ndryshme ndërtimin e nismës “Një brez, një rrugë” me standarde të larta, në dobi të popujve dhe me zhvillim të vazhdueshëm, duke shtuar më shumë gjallëri në realizimin e lulëzimit të qëndrueshëm të vendeve pjesëmarrëse. (Zhang Yan/Albana)(Foto:VCG)