Autoritetet policore italiane të Antimafias e repartet operative të Guardia di Finanza kanë ekzekutuar mëngjesin e sotëm një mega-operacion i cili ka çuar në shkatërrimin e një grupi kriminal trafikantësh droge mes Shqipërisë e Italisë.
Paratë e drogës investoheshin në prodhimin e luleshtrydheve për llogari të një kompanie bujqësore në qytetin e Materas në Itali.
Antimafia Italiane e ka cilësuar si një nga kanalet më të mëdha të pastrimit të parave të pista në territorin e rajonit të Basilikatës.
Kompania bujqësore, e cila financohej nga kapitalet ilegale të strukturave kriminale, ishte shndërruar në një realitet ekonomik mjaft i rëndësishëm i territorit.
Hetime kanë zbardhur se gjatë periudhës kohore 2013-2019 janë ricikluar rreth 4 milionë euro para të pista.
Falë trafikut të drogës të tipit marijuanë, hashash e kokainë përmes Shqipërisë, ky grup kriminal kishte blerë toka të reja, instrumente pune, struktura, e kishte kryer investime të mëdha prodhimi, kryesisht në atë të luleshtrydheve.
Hetimet kanë zbardhur se shpesh ka ndodhur që ky grup kriminal ka blerë fruta e perime nga kompani të tjera e i ka etiketuar si prodhime të kompanisë së tyre me qëllim krijimin e një rrethi të mbyllur për pastrimin e parave të pista.
Grupi kriminal i trafikantëve vepronte në Puglia, Calabria, Campania e Shqipëri e kishte në zotërim dhe plantacione të mbjella me kanabis.
Operacioni ka vënë në pranga12 persona, 6 të tjerë në urdhër arrestimi shtëpiak e 6 të tjerë në urdhër detyrim paraqitje.
Të gjithë personat e ndaluar janë shtetas italianë. Akuza ndaj tyre është trafik droge, mashtrim, kërcënim, riciklim e autoricklim parash të pista, transferimi i kapitaleve të paligjshme, zjarrvënie e deklarata të rreme.
Gjatë hetimeve të operacionit janë sekuestruar; një terren prej 10 mijë metra katrorë tokë e mbjellë më kanabis, 1000 bimë kanabis, 300 bimë të thara, 7 kg marijuanë, 230 gramë kokainë, 60 gramë hashash etj.







