Policia shpalli në kërkim të enjten pasdite dy vëllezër, të cilët dyshohet se janë autorët e plagosjes së 19-vjeçarit, Reginaldo Kaçori në Tiranë.
Burime nga policia thanë se se shtetasi Aldo Kodra., në bashkëpunim me vëllanë e tij shtetasin Klajdi Kodra, gjatë një konflikti të çastit, kanë qëlluar me armë zjarri 19-vjeçarin Reginaldo Kaçorri.
Sipas deklaratës së shpërndarë për mediat, mësohet se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Liman Kaba”, rreth orës 15:45, në afërsi të një lokali.
Po ashtu, grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa shërbimet e policisë po ushtrojnë kontrolle dhe po krehin zonën për të bërë të mundur kapjen e autorëve.
Deklarata e plotë:
Identifikohen dhe shpallen në kërkim dy vëllezër, të dyshuar si autorë të plagosjes me armë zjarri të 19-vjeçarit R. K.
Në vijim të informacionit të dhënë më parë për plagosjen me armë zjarri të shtetasit R. K., ndodhur rreth orës 15:45, në rrugën “Liman Kaba”, në afërsi të një lokali, ju informojmë se:
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore të kryera nga grupi hetimor u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të ngjarjes dhe shpallja në kërkim e tyre.
Dyshohet se shtetasi A. K., në bashkëpunim me vëllanë e tij shtetasin K. K., gjatë një konflikti të çastit kanë qëlluar me armë zjarri 19-vjeçarin R. K.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shërbimet e policisë po ushtrojnë kontrolle dhe po krehin zonën për të bërë të mundur kapjen e autorëve.