Kreu i qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, ka akuzuar krerët e shteteve të Bashkimit Evropian për bllokim të negociatave të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut. Sipas Ramës, një gjë e tillë po ndodh për arsye populizmi. Në një intervistë për gazetën prestigjioze gjermane “Bild”, kryeministri shqiptar thekson mes të tjerash se “BE ka thyer premtimin dhe po çon në përçarje Ballkanin me cinizëm politik”.
“Ndihem si në librin e Samuel Beketi, ‘Duke pritur Godonë” tha ai, duke shtuar se “vetëm flitet, por asgjë nuk ndodh”, ndërsa i drejtohet vendeve anëtare të BE me tri pyetje, që lidhen me bllokimin e procesit të integrimit për dy vendet, dhe që sipas tij, kërkojnë përgjigje.
Ndonëse duhet pranuar se në shumë gjëra Kryeministri ynë ka të drejtë, fatkeqësia është se ai thotë vetëm një pjesë të së vërtetës. Pra ai i vë pikat mbi “I” kur flet për mungesën e koherencës, mosmbajtjen e premtimeve dhe frikën e liderëve të BE nga kundërshtarët populistë dhe identitarë në vendet e tyre. Por ama, ai lë krejtësisht në errësirë mëkatet tona. Pikërisht në Bild, revistën ku ai po flet sot, ai është akuzuar me përgjimet për vjedhjen e zgjedhjeve. Dhe ndonëse zbardhja e këtij skandali është një kusht i BE, drejtësia e kapur shqiptare ka vijuar në rrugën e pandëshkueshmërisë.
Ende sot asnjë nga 15 kushtet e famshme të BE nuk mund të quhet i realizuar 100%, prandaj të bësh pyetje vetëm për liderët europianë, pa dhënë përgjigje për ato, që ata të kanë kërkuar, është edhe intelektualisht edhe politikisht e pandershme. Fatkeqësisht gjysëm të vërtetat e Ramës janë manovra për të fshehur tablonë e plotë të asaj që nuk funksionon mes Tiranës dhe Brukselit.







