Mbeten ende të paqarta motivet e krimit në familje që u shënua këtë të hënë në fshatin Bubq të Krujës. Artan Ismalaja qëlloi me thikë bashkëshorten e tij 45-vjeçare, Klarita Ismalaja në makinën e tyre në afërsi të një magazine.
“Klarita mund të jetë vrarë për xhelozi…”– shprehen të hidhëruar fqinjët e prindërve të saj.
Nga hetimet e policisë ka dalë në dritë edhe një pistë e re. Kohët e fundit çifti kishte debatuar për blerjen e një banese për prindërit e 45-vjeçares. Sipas të njëjtave burime ajo i kishte kërkuar Artanit, që t’u blinte prindërve të saj një shtëpi të re, jo në periferi të Fushë-Krujës ku ata banojnë, por në Bubq.
51-vjeçari e qëlloi me thikë në trup dhe në qafë brenda makinës së tyre tip “Ford”. Më pas Artan Ismalaja tentoi vetëvrasjen me të njëjtën thikë. Ai u transportua në gjendje të rëndë për mjekim më të specializuar në kryeqytet.
Roja i magazinës që pa i pari çiftin mësohet tu ketë thënë hetuesve se fillimisht dyshoi se dy personat ishin në momente intime, por kur është afruar për t’i larguar nga oborri i magazinës ka parë trupin e gruas të mbuluar me gjak.
Çifti prej vitesh jetonte në Tiranë. Autori ka servis kamerash dhe kompjuterësh tek ish-stacioni i trenit në kryeqytet.
Sipas policisë, çifti ka hyrë brenda territorit të objektit duke ndjekur një kamion që do të shkarkonte ushqim për lopët. Mbetet e paqartë se përse Artani dhe Klarita udhëtuan nga Tirana drejt Bubqit. Ndoshta për të shmangur dëshmitarët, Artani e ka futur makinën në një zonë të vështirë në fshatin Bubq.