Apeli Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi dënimet për autorët e grabitjes së Rinasit dy vite më parë.
Sipas News24, Apeli i GJKKO ka dënuar grabitësit si vijon: Dash Kupa 27 vite burg, Ernest Kupa dhe Neim Avdylaj 26 vjet burg, Fatjon Xhyliu me 21 vite burg, Dritan Sinani me 20 vite burg dhe Aleksandër Murataj 19 vjet burg. Ndërsa, Ditjon Memlika dhe Admir Cerpja, bashkëpunëtorë të drejtësisë, u dënuam me 8 vjet e gjashtë muaj heqje lirie.
Bëhet me dije se ata do të përfitojnë ulje të dënimit në masën 1/3 në kuadër të gjykimit të shkurtuar. Në fakt grupi i grabitësve akuzohen për 3 episode vjedhjesh. Në vitin 2015 u grabit një bankë e nivelit të dytë në zonën e ish-Stacionit të Trenit ku u mor një shumë prej 900 mijë frangash.
Ndërsa dy rastet e tjera janë grabitjet e makinave të blinduara në Rinas. Në vitin 2019 gjatë grabitjes në aeroport, ka pasur shkëmbime zjarri mes autorëve dhe policisë e për pasojë mbeti i vrarë kreu i bandës, Admir Murataj. Vëllai i këtij të fundit, Aleksandër Murataj u dënua këtë të hënë nga apeli i GJKKO-së me 19 vite burg.