Një deklaratë e fortë erdhi disa ditë më parë në kulmin e temperaturave të larta të të nxehtit afrikan që përfshiu Ballkanin nga analisti dhe politikani Veton Surroi.
Në Koha.net, Surroi shkruante për një bashkëpunëtor të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që sipas tij është spiun i shërbimit sekret serb.
Surroi, ndonëse nuk përmendte emër, theksonte se një bashkëpunëtor i deritanishëm e i afërt i kryeministrit të Shqipërisë ka bashkëpunuar me Shërbimin sekret serb në Kosovë, madje sipas tij, ky konstatim nuk është pjesë e konspiracioneve të rëndomta mbi “spiunllëkun” të këtij apo atij personi.
“Bashkëpunëtori i deritanishëm i afërt i kryeministrit të Shqipërisë këtë e ka pranuar publikisht në Gjykatën Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë në Hagë.
Ka pranuar se Shërbimi sekret serb i ka kërkuar që të ndihmojë të hapet një proces negociatash me një figurë të respektuar shqiptare të Kosovës në mënyrë që të shmanget negociata me dr.Rugovën, figurë prijëse e shqiptarëve të Kosovës e njëkohësisht që prej pozicionit të dr.Rugovës për pavarësi të vendit të kalohet në pozicion të “Republikës së tretë” brenda “RFJ-së”. Bashkëpunëtori këtë kërkesë e ka zbatuar”, shkruante Surroi. (Editoriali i plotë në fund të artikullit)
Reagimet
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ndër të parët në rrjetet sociale mbi këtë analizë, ndërsa ‘identifikon’ emrin e këtij bashkëpunëtori.
Berisha në postimin e tij shkruante se spiuni është Baton Haxhiu, të cilin ish-Kryeministri prej vitesh e akuzon për atë që Surroi shkruan në artikullin e tij, ndonëse nuk e përmend me emër.
“Pse Baton Stanishiqin e quaj ‘argat in chef’ i trojkës famëzeze Rama-Thaçi-Haxhia!
Sepse midis të treve ai ishte më i besuari i të besuarve, njëri nga 4 konfidentët personal të vet Jovica Stanishiq, gjë për të cilën unë e kam quajtur Baton Stanishiq”, shkruante ish kryeministri.
Mbi këtë analizë reagoi edhe ish-diplomati Shaban Murati.
Në një shkrim në gazetën Dita, Murati se Surroi denoncon si agjent të shërbimit të fshehtë të Serbisë në Kosovë një bashkëpunëtor të afërt të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në dy mandatet e tij qeverisëse.
Ai ndalet edhe te denoncimi i faktit se atij personi i është dhënë nga Shqipëria shtetësia shqiptare në kundërshtim me procedurat ligjore dhe duke shmangur informatat mbi bashkëpunimin e tij me shërbimin sekret serb, ndërsa gjithçka është kaluar në heshtje nga kryeministri shqiptar.
Për këtë ai kërkon përgjigje nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë: Kryeministri i Shqipërisë, që e ka pasur me vite këshilltar të afërt bashkëpunëtorin e shërbimit sekret serb, dhe kanali televiziv kombëtar, që i ka pompuar me vite në ekran figurën publike atij personi, e kanë bërë nga padija, nga neglizhenca apo nga fryma e të njëjtës skuadër me të?
“Këshilli i Sigurisë Kombëtare duhet ta marrë me seriozitetin më të madh këtë çeshtje delikate të sigurisë kombëtare dhe e ka modelin se si sillen shtetet demokratike europiane në raste të tilla.
Kancelari i famshëm gjerman Vili Brandt, laureat i çmimit Nobel për Paqe, dha dorëheqjen në vitin 1974 nga posti i kryetarit të qeverisë, kur u zbulua se një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Gunter Guillaume, ishte agjent i shërbimit sekret të Gjermanisë Lindore”, shkruan Murati.
Baton Haxhiu përgjigjet përmes të birit
Haxhiu nuk i është përgjigjur publikishtSurroit dhe reagimeve të tjera, por në vend të tij, reagoi djali i tij Andi Haxhiu.
Përmes një shkrimi, ai thotë se i ati nuk do t’i përgjigjet Surroit, pasi, sipas tij, publicisti ka kohë që nuk është i rëndësishëm në hapësirën politike shqiptare. Andi Haxhi “ka vendosur” që vetë ta “dekonstrukturojë” shkruesin kundërshtar të babait të tij.
“kur keta intelektualët e oborreve te Beogradit qe përqeshnin ata qe nuk njihnin serbishten mirë, shperthejnë në publik si zëri i “arsyes se kombit” per te kompenzuar, ndonese pavetedijshem, deficitin e tyre patriotik, at’here une, me kapacitetin tim modest, i dekonstruktoj ata. Unë i dekonstruktoj, dhe jo Batoni. Kjo nuk duhet te jetë beteja e babait tim, sepse Surroi, perkunder iluzioneve te tij, ka kohë qe nuk eshte relevant ne hapesiren e politikes shqiptare. Ka kohë qe fuqia e tij publike eshte joproporcionale me rrahagjoksjen e tij ne fluskën e tij digjitale qe kahmotshëm e perdorë si blogun e tij ‘intelektual’”, shkruante djali i gazetarit Haxhiu.
Andi Haxhiu ka cituar librin “Bisedat me Millosheviqin”, të ish-diplomatit britanik, Ivor Anthony Roberts, ku ka nënvizuar disa fjali ku përmendet Surroi.
Sipas ish-ambasadorit britanik, kur ai po bisedonte me liderin famkeq serb, Slobodan Millosheviqin, ky i fundit kishte dhënë shenja “pozitive” për takim me grupin negociator shqiptar nga Kosova dhe kishte përmendur Veton Surroin si krueministër, në vend të Bujar Bukoshit, i cili në fund të 90-ave ishte kryeministër i Qeverisë në ekzil.
“Duke vazhduar, u riktheva te baza e kërkesave të Grupit të Kontaktit, që kërkonte tërheqjen e forcave të sigurisë nga Kosova. Kjo shkoi drejt një diskutimi; gjatë periudhës kur u qetësua situata, ai do të tërhiqej. Unë i thashë që ai [Millosheviq] do të duhej të ndërmerrte hapin e parë.
Pa tërheqjen e forcave, Rugova dhe negociatorët e tij nuk do te kishin mbështetjen e nevojshme politike të hyjnë në dialog. Ata kishin ndërmarrë rreziqe fizike dhe politike substanciale për takimin me Millosheviqin. Millosheviq jepte shenja pozitive për takimin dhe përmendi Veton Surroin (redaktorin e gazetës më të madhe në Kosovë) në veçanti si kryeministër të ardhshëm, në vend të Bujar Bukoshit”, thuhet në pjesën e shkrimit të ish-ambasadorit britanik, që e ka ripublikuar Haxhiu.
Po ashtu, Andi Haxhiu e ka quajtur Surroin “kryeministër të dezignuar të Slobodan Millosheviqit në Kosovë”.
“Atij i takon nje vulë e perhershme ne shpindë qe ai, me frustrimet e tij te perditshme dhe sjelljen si ëannabe intelektual, mund ta perkthej nje dite ne nje titull libri ku perthekon karrieren e tij politiko-intelektuale:
“’Une, Veton Surroi, kryeministri i designuar i Slobodan Milosevicit ne Kosovë’”.
Shkrimi i plotë i Veton Surroit:
Çka e bashkon Goran Bregoviqin me një bashkëpunëtor të kryeministrit të Shqipërisë, vendimin e V.Intzkos për gjenocid dhe aktgjykimin e J.Stanishiqit, shef i Shërbimit sekret serb? Një bashkëpunëtor i deritanishëm e i afërt i kryeministrit të Shqipërisë ka bashkëpunuar me Shërbimin sekret serb në Kosovë.
Ky konstatim nuk është pjesë e konspiracioneve të rëndomta mbi “spiunllëkun” të këtij apo atij personi. Bashkëpunëtori i deritanishëm i afërt i kryeministrit të Shqipërisë këtë e ka pranuar publikisht në Gjykatën Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë në Hagë. Ka pranuar se Shërbimi sekret serb i ka kërkuar që të ndihmojë të hapet një proces negociatash me një figurë të respektuar shqiptare të Kosovës në mënyrë që të shmanget negociata me dr.Rugovën, figurë prijëse e shqiptarëve të Kosovës e njëkohësisht që prej pozicionit të dr.Rugovës për pavarësi të vendit të kalohet në pozicion të “Republikës së tretë” brenda “RFJ-së”. Bashkëpunëtori këtë kërkesë e ka zbatuar.
Këtë do ta zbulonim, vetëm pas lufte, të gjithë ne të tjerët që në një mënyrë a tjetër e kishim njohur bashkëpunëtorin e Shërbimit sekret serb. Dhe, kjo çështje do të riaktualizohej brenda strukturave shtetërore të Shqipërisë kur personi në fjalë do ta kërkonte shtetësinë e Shqipërisë. Atëbotë, e në kundërshtim me procedurat ligjore, do të shmanget informata mbi bashkëpunimin me Shërbimin sekret serb dhe do të jepej shtetësia nga presidenti në detyrë.
Gjatë ditëve të kaluara të kësaj vere të nxehtë do të zhvillohen tri procese, që do të më shërbejnë për të përkujtuar rastin e bashkëpunëtorit. I pari është vendimi i Valentin Intzkos, tashmë ish-kryeadministrator ndërkombëtar i BeH-së, që të shpallë mohimin e gjenocidit në BeH si vepër penale. I dyti është shpallja e aktgjykimit të Jovica Stanishiqit, shef i dikurshëm i Shërbimit sekret serb (që i kërkoi favore bashkëpunëtorit) me të cilin veprimtaria e tij në luftën e Bosnjë-Hercegovinës trajtohet si vepër e ndërmarrjes së përbashkët kriminale të shtetit të tij, Serbisë. Dhe i treti është zallamahia rreth ftesës që Goran Bregoviqi, një figurë prijëse e rokut jugosllav të viteve ‘80 dhe tashmë figurë ndërkombëtare e muzikës, të marrë pjesë në Festivalin e Birrës në Korçë.
Valentin Intzko tregoi se kishte imponuar ligjin mbi mohimin e gjenocidit në këtë kohë për arsye të thjeshtë, sepse vetëm tash u bë i plotfuqishëm aktgjykimi i Radovan Karaxhiqit, ish-prijës i serbëve të BeH-së, me të cilin ai gjykohej, mes tjerash, edhe për gjenocidin në Srebrenicë. Pra, ndonëse vepra e gjenocidit qe kryer më 1995, vetëm më 2021 është e mundur, me dënimin e Karaxhiqit që kjo vepër penale është sanksionuar si e tillë, rrjedhimisht mohimi i saj përbën vepër tjetër penale, sipas traditës më të mirë evropiane të ndërtuar pas gjykimeve të Nyrembergut në Gjermaninë pas-naziste. Kjo është me rëndësi të jashtëzakonshme për identitetin e Bosnjë-Hercegovinës, shtet në të cilin pasardhësit e Radovan Karaxhiqit, të shpërblyer me Republikën serbe, ndërtojnë politikën e tyre mbi mohimin e gjenocidit. Për ta, gjenocidi në Srebrenicë ishte pjesë e luftës, “ku të gjithë vranë të gjithë të tjerët, të gjithë ishin përgjegjës, të gjithë ishin viktima”.
Gjykimi i Jovica Stanishiqit tregoi se nuk ishin të gjithë përgjegjës e as të gjithë viktima. Ai u dënua sepse, ndonëse nuk ishte përgjegjës i drejtpërdrejtë për vrasjet në BeH, ishte përgjegjës sepse qe në krye të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, që kishte për qëllim dëbimin me dhunë të boshnjakëve myslimanë nga shtëpitë e veta dhe vendosjen e mbisundimit serb në ato territore. Kjo ndërmarrje e përbashkët kriminale, sipas aktgjykimit, kishte mbështetjen e plotë organizative të Republikës së Serbisë.
Dhe Goran Bregoviqi, një simbol i muzikës së ish-Jugosllavisë, i ftuar në Festivalin e Korçës nxiti fërkimin e radhës e bukur intensiv politik e kulturor në diskurset publike të Kosovës e Shqipërisë. Në të folmen shqipe u ravijëzua konfrontimi i argumentit mbi të drejtën që shqiptarët të ftojnë figura kulturore që nuk e kalojnë një provim imagjinar moral (e të tillë janë të gjithë) mbi qëndrimin ndaj luftës në Kosovë (apo nëse tëhollohet, edhe ndaj Milosheviqit, Bosnjës, etj.).
Të tri proceset kanë një emërtim të përbashkët, të luftës së papërfunduar e vonesës për ta pranuar këtë. Ligji për mohimin e gjenocidit në BeH nxori në pah atë që do të duhej të ishte shtyllë morale e ndërtimit të BeH-së para një çerekshekulli. Pra, që në vitin 1996 do të duhej të ishte e qartë se shtylla morale e ndërtimit të shtetit demokratik të BeH-së do të ishte që nuk mund të mohohet gjenocidi, ashtu siç nuk është e paramendueshme sot që të ekzistojë një demokraci shembullore evropiane në Gjermani e që të mos mbështetet mbi shtyllën morale të dënimit të gjenocidit. Fakti që kjo bëhet më 2021 tregon se lufta në BeH, përfshirë gjenocidin, vazhdon në inversionin e Von Clauzewitzit, që thoshte se lufta është vazhdimi i politikës me mjete të tjera, vazhdim i luftës me mjete të tjera.
Dhe, kjo është një çështje me rëndësi për Serbinë. Dënimi i J.Stanishiqit nxori në një shkallë më të lartë atë që kishte bërë më herët Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila në padinë e BeH-së për gjenocid në Bosnjë-Hercegovinë kishte konstatuar se Serbia nuk ishte përgjegjëse për organizim e ekzekutim, por ishte përgjegjëse për mosveprim për ta penguar atë. Në këtë rast, Serbia u dënua, nëpërmjet Stanishiqit, për ndërmarrje të përbashkët kriminale në Kroaci e BeH, pra shteti kishte ndërmarrë veprime për të ndihmuar krimet kundër njerëzimit në pika të ndryshme ndaj kroatëve dhe boshnjakëve myslimanë.
Goran Bregoviqi hyn në këtë rrëfim si një artist i Sarajevës, i ikur në Beograd gjatë luftës e pastaj edhe në vende të Evropës. Ka mundur, por nuk e ka bërë, të dënojë masakrën që i bëhet qytetit të tij të lindjes nga ana e forcave serbe. Nuk ka mundur të kontrollojë se këngët e tij do të shërbejnë për njësitet paramilitare që do të hyjnë në Gjakovë dhe nga altoparlantët do të shënojnë momentin dramatik të vendimit të ekzekutimit të fëmijëve, grave e burrave të atij qyteti. Politiko.al







