Kreu i opozitës në një deklaratë për mediet jashtë parlamentit u shpreh se brenda sallës ndodhet pakica që ka dhunuar vullnetin e shqiptarëve
Basha: “Brenda në sallë ndodhet sot pakica që ka dhunuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë, brenda ndodhen njerëzit që kanë minuar demokracinë duke nisur nga Edi Rama shkatërruesi i zgjedhjeve dhe institucioneve të pavarura së bashku me reformën në drejtësi, që duhet të ishte para drejtësisë. Arben Ahmetaj, Belinda Balluku, Damian Gjiknuri, këta të dy kapur në flagrancë në manipulimin e zgjedhjeve në vitin 2016. Po kështu para drejtësisë dhe jo në këtë sallë duhet të ishte Balla, kryeshefi i bandave të Elbasanit, njeriu që gjithë bota mbarë e di që figuron në listën e zezë të Interpolit për pastrim parash dhe drogë. Duhet të ishin para drejtësisë autorët famëkeq të dosjes 339. Jashtë kësaj salle duhet të ishin 3 bedelët e Tom Doshit dhe Aqif Rakipit. Jashtë kësaj salle duhet të ishin të gjithë ata që kanë grabitur djersën e shqiptarëve, bukën e fëmijëve duke u pasuruar si sheikë me mafien. Kjo nuk është mazhorancë, është pakica e krimit dhe korrupsionit. Ne kemi vetëm një detyrë. Ta kthejmë në një fushë betëjë me dhe për qytetarët shqiptarë deri në mposhtjen e këtij regjimi që po e zbraz vendin nga rinia.”