Pas shkëlqimit me Kombëtaren, Armando Broja vijon të gëzojë formën e shkëlqyer dhe në Premier League, ku sot gjeti edhe golin e parë
Ralf Hasenhutl, trajneri i Sauthempton, ka treguar për mediat se çfarë e shtyu që të zgjidhte Brojën dhe vendimtare ka qenë performanca e futbollistit kuqezi me kombëtaren.
“Askush nuk e merr dhuratë aktivizimin, duhet ta meritosh dhe e tregoi me Kombëtaren se mund të shënojë. Kjo është ajo që po na mungon.
Sot bëmë një punë të mirë në mbrojtje. Ishte një gol vendimtar dhe e merituam. Të jem i sinqertë, nuk isha i sigurt mbi atë që dëshiroja të bëja apo cilët lojtarë të përzgjidhja. Lojtarët kanë munguar prej kombëtareve dhe janë kthyer me vonesë. U mundova të zgjedh futbollistë që kishin vetëbesim dhe që kishin shënuar gol me kombëtaren, si Armando Broja.
Ndaj Shefilldit, nuk më la shumë mbresa Broja. Por paraqitja e sotme ishte shumë më tepër si ajo që kërkojmë prej tij. Kjo do t’i japë më shumë besim dhe ai me të vërtetë që ka diçka, është një rrezik pranë zonës dhe ka shpejtësinë që të kalojë një mbrojtës dhe të godasë në portë.
Na duhej një sulmues i fortë fizikisht. Armando shënoi gjatë pauzës së kombëtareve dhe mendoj se ishte koha e duhur për të që të tregonte se mund të luajë 90 minuta. Ai tani na ka treguar se mund të na ndihmojë. Kjo është diçka e mirë”, tha Hasenhutl.