HomeKryesorePërçahet PS, Fatmir Xhafaj gris fasadën e sukseseve të reformës në drejtësi

Përçahet PS, Fatmir Xhafaj gris fasadën e sukseseve të reformës në drejtësi

Advertismentspot_img

Ndërsa përgatiten të ndryshojnë Kushtetutën që të zgjasin vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, socialistët janë të kujdesshëm të mos e cënojnë imazhin e një reforme të suksesshme në drejtësi. Shkëlqimi i saj nuk duhet vënë në diskutim, sidomos tani që po ndodh një ndryshim i Kushtetutës, për shkak të vonesave të paparashikuara të procesit të vetingut.

Në Këshillin e Legjislacionit, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tentoi ta kalonte formalisht si ndryshimi i një neni të Kushtetutës, që nuk ka nevojë për qëndrim politik, sepse është vetëm “një çështje teknike” siç e quajti ai.

Por kundër kësaj qasjeje sipërfaqësore doli Fatmir Xhafaj, i cili shkeli për herë të parë vijat e kuqe në raport me vetingun dhe reformën në drejtësi, në një mënyrë që nuk guxojnë as deputetët e Partisë Demokratike që pritet ta votojnë atë.

Xhafaj kërkoi që çështja të shtrohej ndryshe, si vendim politik jo thjesht si çështje teknike dhe për këtë, kërkoi një analizë të vetingut dhe të pasojave të tij në gjithë reformën në drejtësi.

E para, Xhafaj preku çështjen e kredibilitetit të reformës në drejtësi. “Duhet jo thjesht një vendimmarrje teknike, por një vendimmarrje që i jep legjitimitet dhe kredibilitet këtij procesi” u shpreh ai. Në fakt, besimi i qytetarëve tek reforma në drejtësi ka rënë ndjeshëm. Një sondazh i publikuar së fundmi tregoi se një në katër persona (25,1%) mendojnë se reforma ka shkuar keq dhe një në dhjetë (11%) mendojnë se ajo ka shkuar shumë keq. Ndërkohë, që më pak se çereku (24%) mendojnë se ka shkuar mirë.

E dyta, Xhafaj kërkoi t’i hyhet në analizë konkretisht ecurisë së vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kështu, tha ai mund të kuptohet se sa duhet zgjatur ende mandati i vettingasve. “Sa çështje janë mbyllur? Sa çështje janë në proces dhe çfarë statusi janë? Për të kuptuar ecurinë e procesit, sepse mund të ngrihet pyetja, pse dy vjet e gjysëm dhe jo tre vjet e gjysëm? Pse jo një vit e gjysëm?” ishin pyetjet që ngriti ai në komision.

E treta, Xhafaj kërkoi të diskutohen problemet e procesit gjatë këtyre viteve dhe përse është vonuar deri në pikën që kërkohet zgjatja e vetingut. “Mbi procesin janë hedhur shumë dritëhije” tha Xhafaj duke kërkuar një analizë që të nxjerrë problemet e vetingut. “Qytetarët kanë të drejtë të pyesin: Pse u vonua 5 vjet? Sepse nga vonesat që u krijuan në procesin e vetingut, duhet pranuar është krijuar gjithë vonesat në ngritjen e institucioneve të reja. Pra gjithë ky impass që është krijuar në sistem, lidhet me vetingun” tha deputeti i PS.

E katërta, Xhafaj kërkoi verifikim të komisionerëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për vetingun. “Personalisht jam i pakënaqur nga ritmet e punës së KPK dhe ONM në këtë proces” u shpreh deputeti i PS që kërkoi të pyeten këto institucione. “Që të mos vijmë pas dy vitesh, të themi “A e shtyjmë edhe një vit tjetër?” tha Xhafaj, që preku për herë të parë thembrën e Akilit të vettingut, duke përmendur integritetin e disa prej antarëve të KPK. “Ka raste kur vihet në diskutim paanshmëria e disa vendimmarrjeve te KPK. është rasti ta diskutojmë këtë dhe ONM duhet të na thotë, se ky ka qenë roli i përfshirjes së saj në këtë proces. është edhe garantimi i integritetit të komisionerëve. Disa çështje që janë ngritur nga shoqëria civile, në lidhje me integritetin e disa komisionerëve meritojnë vëmëndje” u shpreh ai, duke marrë de fakto lidershipin e procesit të ndryshimeve kushtetuese për zgjatjen e vetingut mes socialistëve.

Në fakt, ngritja e një serie problemesh për vetingun dhe për reformën në drejtësi nga Fatmir Xhafaj nuk janë thjesht një zë nga brenda Partisë Socialiste, që bie ndesh me frymën e lavdeve dhe himnizuese të pompuar nga maxhoranca dhe ambasadorët e huaj për procesin e vetingut.

Duke qenë një nga arkitektët kryesorë të kësaj reforme, pohimet e Xhafajt duhen parë si rrëfimet e një prej hartuesve të drejtësisë së re, që në analizën që i bën vettingut, përshkruan një proces jo vetëm të ndërtuar keq, por edhe të korruptuar, të kapur dhe të dirigjuar në prapaskenë./Lapsi.al

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular