Këshilli i Lartë Gjyqësor pranoi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu. Kryetarja Naureda Llagami tha se KLGJ vendosi pranimin e masës disiplinore për uljen e pagës në masën 20% për një periudhë prej 6 muajsh. ILD kishte kërkuar ulje të rrogës në masën 40%.
Kërkesa e ILD u bë pasi gjyqtarja Pajtime Fetahu, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, u akuzua për korrupsion pas publikimit të disa fakteve të transmetuara në një emision investigativ në vitin 2017, ku, kundrejt një shume monetare, kishte marrë përsipër aplikimin e minimumit të dënimit për një të pandehur në paraburgim, që akuzohej për tre vepra penale.
KLD pezulloi magjistraten nga detyra dhe hetimi disiplinor, gjithashtu u pezullua, deri në përfundim të procedimit penal
Kërkesa e ILD-së është depozituar në KLGJ me 28 korrik, ndërkohë që inspektimi disiplinor ndaj Fetahut ka filluar në vitin 2017, pas publikimit të disa video përgjimesh të një qytetari me gjyqtaren dhe një punonjës policie nga emisionet investigative.
Në videon e transmetuar me 31 janar 2017, magjistratja akuzohet se ka marrë 2 mijë euro rryshvet për uljen e dënimit ndaj një të burgosuri.