Detaje të reja janë zbuluar nga grupi i policëve në Greqi, të cilët pajisnin me pasaporta kriminelët, kryesisht shqiptarë, dhe në këtë mënyrë i pastronin nga krimet që ata kishin bërë, duke ju dhënë një identitet të ri.
Mediat greke raportojnë se rolin kryesor në rrjetin e falsifikuesve të dokumenteve e kishte një oficer policie. Po ashtu në këtë rrjet u përfshi edhe gruaja e tij, edhe kjo e fundit një punonjëse policie në Greqi.
Dosja e prokurorisë nxjerr në pah thellësinë e çështjes, ku në total janë përfshirë 43 policë, 9 prej të cilëve janë arrestuar.
Të paktën 200 (janë identifikuar deri më tani) kriminelë brutalë, vrasës, grabitës, shpërndarës droge janë “pastruar” nga e kaluara, pasi brenda natës janë kthyer nga shqiptarë apo shtetas të kombësive të tjera në “grekë”.
Të “pastruar” nga veprat penale, ata qarkullonin brenda Bashkimit Evropian, ku njëri prej tyre u arrestua në Holandë, teksa transportonte një sasi të madhe droge. Gjithashtu, rasti i shqiptarit të vrarë në pikën e karburantit, hodhi dritë në zbulimin e plotë të grupit.
Shqiptarët me të shkuar të errët, raportohet se paguanin shuma prej 30 mijë eurosh për t’u bërë grekë.
Në kasafortën e “trurit” të këtij grupi, u gjetën 320 mijë euro “të pista” të cilat në asnjë mënyrë nuk justifikohen me të ardhurat e oficerit. Para gjykatës oficeri i lartë deklaroi se këto para janë të një mikut të tij, i cili ia kishte dhënë për t’i ruajtur.
Në dosje përmendet edhe emri i gruas së tij, një oficere policie bionde.
Ndërkohë sipas mediave greke pas këtij rrjeti kriminal qëndron një emigrant 60-vjeçar nga Kazakistani i identifikuar si Dimitris E. Ai me paratë e tij ka mundur që të joshë policët dhe nëpunësit e tjerë që të krijonte këtë fabrikë falsifikimesh me dokumentet greke.
Një tjetër shqiptar ka dalë në skenën e këtij grupi. Ai u arrestua në Holandë, ndërsa me origjinë ishte nga Vlora. Pas verifikimeve rezultoi se shqiptari e kishte të falsifikuar dokumentin grek që mbante dhe lëvizte me të në të gjithë Europën dhe jo vetëm. Konkretisht ky person është dënuar nga Gjykata e Athinës me 12 vjet burg si dhe një gjobë prej 51 mijë eurosh për trafik droge.