Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dalë në një deklaratë për mediet pas mbledhjes së Kryesisë së PD. Në komunikimin e tij Basha ka bërë publike vendimet e marra në mbledhjen e kryesisë. Kryetari i PD-së, po ashtu, ka theksuar se Statuti i PD-së, institucionet e partisë do të vijojnë të jenë po ato, pa asnjë ndryshim. Basha ka vijuar duke thënë se ajo që u prodhua nga 11 dhjetori, është përpjekja e fundit e Sali Berishës në luftën kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Sot është një ditë e keqe për PD dhe demokracinë shqiptare. 31 vjet pas themelimit të Partisë Demokratike, ne u bëmë dëshmitarë të një manifestimi personal të Sali Berishës për tju kundërvënë SHBA. Ne i bëjmë të ditur çdo demokrati që sot është shqetësuar nga kjo shfaqje e shëmtuar anti-amerikane e Sali Berishës se kjo ishte përpjekja e fundit, e dëshpëruar dhe e turpshme e tij për ta marrë peng Partinë Demokratike dhe për ta përdorur atë si bunker për hallin e tij.
Asnjë deklarim i dalë nga ky tubim nuk ka asnjë lidhje me Partinë Demokratike dhe institucionet e zgjedhura të PD. Në përgjigje të fallsfikimeve, shpërdorimit të funksioneve, simboleve, dhe në kundërshtim me urdhrat dhe vendimet zyrtare të organeve të Partisë, Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur: thirrjen e Mbledhjes së Jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar nesër, e diel, më 12 dhjetor 2021 ora 15:00, me këtë rend dite:
1.Diskutimi dhe miratimi i një rezolute të krijuar nga veprimtaria statutore
2.Miratimin për shkarkimin e Këshillit Kombëtar dhe anëtarëve për shkelje të statutit
Kryesia vendosi gjithashtu shkarkimin nga detyra të disa kryetarëve të degëve.Kryesia ngarkoi Sekretariatin ekzekutiv të ndjekë të gjithë hapat për të vënë para përgjegjësisë ligjore të gjithë personat përgjegjës për fallsfikimin dhe shpërdorimin e simboleve të institucioneve të Partisë Demokratike. Sigurojmë cdo demokrat se të gjitha institucionet e Partisë Demokraike, duke nisur nga Këshilli Kombëtar, Kryesia dhe Kryetari vazhdojnë të jenë në krye të detyrës, në përmbushje të përgjegjësive dhe në shërbim demokratëve dhe gjithë shqiptarëve.
Demokratët do të mblidhen në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Kryesia e Partisë më datën 18 dhjetor, ku do te diskutojne dhe marrin vendimet të rëndësishme për të ardhmen e tyre, dhe jo për hallin personal të Sali Berishës. Më 18 dhjetor, Partia Demokratike do të lërë pas pjesët e hidhura të së shkuarës së saj, bashkë me mbeturinat e komunizmit dhe të korrupsionit drejt ndryshimit që meriton cdo demokrat dhe shqiptar” , tha Basha.