Nga Basir Çollaku
SPAK po merret më shumë me disa dosje të Krimeve të Rënda, që i kanë hetuar të njëjtët prokurorë kur ishin te Krimet e Rënda, e sot janë në SPAK. Bëjnë mirë. Nëse ju rezultojnë hetime me veprime të pakryera, atëherë duhet të jenë Prokurorët në hetim për mosveprime. Mosveprime, që kanë shkaktuar dëme në procesin penal në dëm të viktimave apo pandehurve. Nëse do të dalë e njëjta gjë, siç me siguri do të ndodhë nga të njëjtët njerëz, atëherë janë duke kryer qoka socialisto-diplomatike, paguar nga taksa publike,
sepse në fund të fundit, meritueshmëria dhe besimi për të qenë në SPAK nuk ka kriter të nevojshëm e domosdoshëm ndershmërinë. Jo. Ka këllqet. Nëse nuk i ke, apliko për ndonjë sport më të lehtë. Raporti i fundit i DASH, në mars 2021, thotë se korrupsioni në qeverisje është në të gjitha nivelet.
Po SPAK përse nuk ngeli nëpër nivele?
Teatri me regji komike, por efekt dramatik ishte dosja e tenderit të uniformave të Policisë së Shtetit. Në korpusin ligjor prokurorët e dinë mirë, nëse jo, të merrnin ekspertizën përkatesë, se titullarët e institucioneve në hetime të abuzimeve të këtyre përmasave, përgjegjësia nuk përjashton aspak titullarët e institucioneve, aq më pak firmëtarët në proces. Ky ligj i përgjegjësisë është lënë mënjanë nga hetuesit, jo nga padijenia. Përdorja dhe pavarësia e munguar e institucioneve, është cenim ekstrem i besimit të publikut nga kjo Prokurori e Posaçme, prej së cilës pritej ndryshim themelesh në dhënien e drejtësisë.
Emërimi i ish-ministrit, Ilir Beqja drejtor të thesit të donacioneve kur dosja në SPAK pëlcet nga elementët penalë, është një shkujdesje e tepruar e kësaj zyre. Fshehja e të dhënave të buxhetit, investime me vendime qeverie, të pambështetura në buxhet, në shuma afro 300 milionë euro, janë ulëritje penale për së paku dy ministra, financat dhe rindërtimin, Ahmetaj dhe Brahimi. Marrja e një borxhi 650 milionë euro me përqindje tre herë më të lartë se kredite e buta, duke sjellë një dem prej 160 milionë eurosh, janë të tjera kusure hajnie. Ngecja e formatimit të plotë të BKH, e cila duhet të ketë ekspertët e ekonomisë e financave publike për të hetuar rrënjësisht korrupsionin e zyrtarëve të lartë, është një truk eprorësh dhe politikë për ta lënë sakat Prokurorinë dhe zinxhirin e hetimit, e për të pushuar si fruta perime një turrë dosjesh. Ka ende shpresë, nëse Prokurorët ngrihen tej vetvetes. Kjo strukturë ka shanse, ka mundësi, ka njerëz, ka mbështetje dhe duhet t’ia dalë patjetër. Deri tani rezultatet nuk janë premtuese dhe nuk mund të thuhet se kanë qullosur gjë. Editimi diplomatik i ka bërë disi anemike, sepse punë ka, por specialistët nuk po ndihen. Ashtu siç dolën kohë dhe duarbosh me OFL-në, ku inventari njëvjeçarë, pas vendimeve të Gjykatave ishte jo më shumë se një dorë skrap dhe një amnisti ndaj subjekteve.
Me qeverisjen më të korruptuar në Evropë prej tetë motesh, të mos kesh të pandehur asnjë qeveritar, nuk mund të kandidosh për mburrje, por për dështim të derisotshëm. Me një vesh në qeveri, e një në zyrë, është e vështirë të zbatosh ligjin dhe të japësh drejtësi. Nuk mund të funksionojë nëse hetimet e kanë kokën në prokurori dhe trupin në qeveri.