Arrestimi i ish ministrit shqiptar të Mjedisit Lefter Koka ka gjetur pasqyrim edhe në mediat e huaja. Agjencia e lajmeve “Associated Press” shkruan se Koka rrezikon deri në 12 vjet burg nëse shpallet fajtor për akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK.
Ish-ministri u arrestua rreth orës 11:00 të paradites së të martës, për akuzat e “Shpërdorimit të detyrës”, “Pastrimit të parave” dhe “Korrupsionit”.
“Korrupsioni ka ndikuar fuqishëm në zhvillimin demokratik, ekonomik dhe social të Shqipërisë postkomuniste”, shkruan “Associated Press“.
Kujtojmë se ish-ministri i Mjedisit në datën 1 shtator 2021 hoqi dorë nga mandati i deputetit në Kuvend. Shkak mendohet të jetë bërë pikërisht hetimi i nisur nga SPAK-u për çështjen e inceneratorëve.
ARRESTIMI
Skuadra e Policisë Speciale e mbështetur edhe nga efektivë të Policisë së Durrësit zbarkuan paraditen e të martës në lagjen 1 të qytetit bregdetar për të vënë në pranga një nga individët më me influencë të zonës dhe jo vetëm, Lefter Kokën.
Pa shumë bujë, disa efektivë u ngjitën në pallatin ku banon familja Koka dhe bashkë me të u larguan.
“Pashë disa efektivë të Policisë që parkuan aty dhe pak minuta më vonë dolën bashkë me Lefterin. S’na shkoi mendja fare, pasi ishte pa pranga dhe fare i qetë si ai edhe policët që e shoqëronin. Menduam se mos kishte ndodhur ndonjë gjë nga bizneset e tij, pastaj mësuam se e kishin arrestuar. Nëpërmjet televizorit e morëm vesh. Na erdhi shumë keq pasi Teri (Lefter Koka) është një njeri me reputacion të mirë jo vetëm këtu në zonën e Vollgës, por në të gjithë Durrësin”, u shpreh një banor për “Panorama.al“.