Kryedemokrati Lulzim Basha, gjatë një konference për media në lidhje me aferën e inceneratorëve, u ndal dhe tek situate e brendshme në Partinë Demokratike dhe te Kuvendi Kombëtar i thirrur prej tij më 18 Dhjetor.
Basha u shpreh se motoja e Kuvendit është “Zgjedhim të ardhmen”, për t’i dhënë fund tranzicionit shqiptar, mentalitetit komunist, si dhe për t’i fikur dritat karuselit që vërtitet për 30-vjet në politikë dhe që vjedh pronat dhe pasuritë e shqiptarëve.
“Unë jam kryetari i opozitës, jam këtu për të shtyrë me të gjitha forcat transparencën. Të bëjmë një ndarje të së shkuarës dhe që kjo ndarje të jetë e besueshme po ju them se Partia Demokratike është në luftë me armikun e mirëqënies së shqiptarëve në të gjitha frontet, brenda vetes, përpara kundërshtarit politik dhe në të gjithë frontin shoqëror. Prandaj 18 Dhjetori është një ditë e rëndësishme jo vetëm për demokratët por për të gjithë shqiptarët. Zgjedhim të ardhmen kjo është motoja jonë. Zgjedhim të ardhmen sepse jemi pozitiv, sepse mund të thoshim edhe t’i mbyllnim derën të shkuarës, t’i japim fund tranzicionit, t’ia fikim dritat karuselit të hajdutëve që vërtitet tash 30-vjet duke vjedhur prona, para, shpresa, t’i japim fund mentalitetit komunist, por jo le ta themi më thjesht, le të zgjedhim të ardhmen. Prandaj 18 dhjetori është dita e shpresës dhe jo e frikës, pasi ne jemi e vetmja forcë që mund ta nxjerrim vendin nga ky batak”, tha Basha.
Gjatë fjalës së tij për aferën e inceneratorëve, Basha bëri thirrje që të merren me forcë të gjithë ata që pengojnë transparencën dhe të sillen përpara Komisionit Hetimor, përfshirë edhe kryeministrin Rama.
“Ndaj jemi në ballë të betejës me denoncimet, me kallëzimet, më kërkesën për vetingun e politikanëve e do të vazhdojmë të jemi në ballë të betejës derisa drejtësia t’i shkojë deri në fund. Komisioni Hetimor do të vazhdojë punën, jo për të penguar, për të ndihmuar. Kompetencat janë të qarta. SPAK-u ka kompetencën t’i çojë para drejtësisë, Komisioni Hetimor Parlamentar ka kërkuar transparencë. Ata që pengojnë transparencën duhet sipas ligjit të merren me forcë, forcërisht nga i pari tek i fundit dhe të sillen para komisionit hetimor. Le të vijë edhe Edi Rama, le ta provojë të vijë me megafon si dikur dhe ta shohë se çfarë përgjigje do të marrë”, tha Basha.