Partia Demokratike mbledh sot Kuvendin Kombëtar, të thirrur nga kryedemokrati Lulzim Basha dhe miratuar nga Kryesia e selisë blu. Rreth orës 11:50 kreu i PD-së Lulzim Basha ka lënë selinë e PD dhe i është drejtuar Pallatit të Kongreseve. Kërkesës për një prononcim nga gazetarët, Basha iu përgjigj duke i ftuar në Kuved. “Ju mirëpres në Kuvend”, përsëriti Basha.
Mbledhja e Kuvendit të PD do të zhvillohet te Pallati i Kongreseve, i cili mban 3 mijë ulëse, ndërsa mësohet se delegatët e tjerë do të qëndrojnë edhe në holl, ku janë vendosur ekrane dhe bokse të mëdha.
Nën sloganin “Të zgjedhim të ardhmen”, kryedemokrati Basha dhe demokratët e tjerë do të japin mesazhet e tyre në podium, ndërsa çështja kryesore e diskutimit do të jetë pikërisht situata e krijuar brenda partisë, ku ish-kryeministri Sali Berisha është ngritur kundër Bashës, pas vendimit të këtij të fundit, në muajin shtator, për ta përjashtuar nga grupi parlamentar, për shkak të shpalljes së tij “non grata” nga SHBA.
Ndërkohë, kujtojmë se po ditën e sotme ish-kryeministri Sali Berisha organizon referendumin për shkarkimin e kryedemokratit Lulzim Basha. Vetë Basha e ka cilësuar 18 dhjetorin si ditën e një modeli të ri në PD, ku do të lihet pas e shkuara e do të flitet vetëm për të ardhmen e Shqipërisë.
Ora 12:30 – Ish-studentja e Dhjetorit: Qëllimi ynë të mos lejojmë copëtimin e PD-së, të mos lejojmë përçarjen e saj. Kam zgjedhur të jem me institucionin PD
Në Kuvendin Kombëtar të PD-së ka ardhur zëri edhe ish-studentëve të dhjetorit. Arta Sakja, një prej tyre tha se brenda PD-së nuk ka pse të ketë betejë, por reflektim. Ajo theksoi se qëllimi është që të mos lejohet copëtimi i PD-së dhe as përçarja.
“Jam në PD nga dhjetori i 1990 sikundër pjesa më e madhe e bashkëmoshatarëve të mi, studentë që u ngritën kundër diktaturës. Që nga ai moment e deri sot jam rreshtua me PD sikurse shumë prej jush në ditë të mira e të vështira. Studentët e dhjetorit i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin me idealizëm të pastër që edhe pse u përdor dhe keqpërdor nga të tjerë nuk u zbeh kurrë.
Djem e vajza studentë të dhjetorit të shpërndarë në gjithë botën mirëpritën në PD burra e gra të tjerë. Ne besojmë tek rinia, tek ndryshimi dhe fryma e re që rinia sjell gjithmonë. I pranuam sepse ne menduam gjithmonë veten si misionarë të përcjelljes së stafetës për më shumë liri, më shumë demokraci.
Europa për ne ishte thirrje për të përqafuar të renë, për të përqafuar të ndryshmen, thirrje për të shkulur mendësinë komuniste. Ne, ADN-ja e PD nuk i ikëm asaj as kur na nominuan, as kur na spostuan. Demokratë që para 11 dhjetorit, të tillë do të mbetemi dhe pas tij. Në dhjetorin e vitit 1990 studentët ishin 20-vjeçarë, kurajozë, optimistë e ëndërrimtar. Në këtë dhjetor mbajmë mbi supe gjysmë shekulli”, deklaroi Sakja.
Ora 12:46 – “Sot dukemi si dy krena të një trupi! Basha godet me mesazhin e ish-themeluesit të PD, Rexhep Uka kujton SMS-të që SHBA solli më ’90-ën: Premtimi i demokracisë, jeta e liria!
Një ndër themeluesit e PD dhe ish-ministri i Bujqësisë, Rexhep Uka, ka dhënë një mesazh ndryshe dhe të goditur në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, të thirrur nga kryedemokrati Lulzim Basha.
Në fjalën e tij, ish-ministri Uka ka kujtuar mënyrën si u ngrit PD në vitet e errëta ’90 për të rrëzuar komunizmin. Sipas Ukës, rrëzimi i komunizmit ishte i vështirë, por akoma më vështirë ishte demokracia, pasi ishte një rrugë e panjohur.
Lidhur me këtë, Rexhep Uka risolli në vëmendje disa nga mesazhet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu sollën studentëve të 1990-ës për demokracinë.
“Kam mbi një dekadë që kam grumbulluar disa minuta më tepër për t’iu thënë diçka. Pavarësisht motivit të këtij Kuvendi, mendoj se do të jetë një hap, një stacion më i lartë për të çuar me tej demokracinë tonë të brishtë. Shqiponja me dy krena nuk e ka fajin, sepse edhe ne po dukemi sikur jemi dy krena të një trupi. Boll me qenë e fortë si ajo e të mirat vijnë pas. Se do zgjidhim diçka e gjithçka sot, utopi. Se për çka kemi nevojë për t’u shëndetësuar politikisht, për të qenë aty ku na thërret koha e misioni, nuk dalim nga dera pa e thënë.
A mund të ketë ndonjë mosmirënjohës, sado opozitar, që të mohojë rolin e PD? Nuk e besoj. Ne do t’i detyrohemi brez pas brezi qytetarisë. Të përjetshëm do mbeten në kujtesën e popullit martirët, ata që dhanë më të shtrenjtën, sublimen, jetën e tyre. Për herë të parë në jetë ishim të çliruar nga censura. Gatishmëria për të rrëzuar komunizmin ishte deklamative, por sfida e demokracisë ishte e panjohur. Të vetmen politikë që dinim ishte rrëzimi një orë e më parë i komunizmit. Me gatishmëri e dashuri kozmike, nga SHBA arritën ndihmat e para. Ata kishin kuptuar nevojën urgjente si të flisnim për demokracinë. Jehona ishte e paparashikueshme. Faleminderit Amerikë!
Po ju lexoj disa prej atyre mesazheve: “Demokracia në vetvete nuk garanton asgjë. Ajo paraqet mundësinë për të fituar, por edhe rrezikun për të dështuar. Premtimi që bën demokracia është jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Demokracia është premtim dhe sfidë. Qeveria e popullit dhe nga populli do të thotë se shtetasit e një shoqërie demokratike ndajnë me të të mirat e të këqijat. Në çdo shoqëri e në çdo brez njerëzit duhet të fillojnë rishtas veprën e demokracisë, duke marrë parimet e së kaluarës dhe duke i zbatuar ato në epokën e re”.
Gabimet politike nuk mund të zhvillohen jashtë një klime pehazhi dhe terruari të caktuar. Këtë habitat e krijojnë njerëzit, politikbërësit. Rruga më e sigurt e humbjes së pushtetit është sulja drejt tij. Nëse asnjëherë nuk ke pasur kurajon për t’u prononcuar, sot dihet pozicionimi i tij, por besueshmëria bie. Të heshtësh, kur sheh se demokracia shteron para syve të tu, kur ligji ndryshon sipas dëshirës së shefit, besoj se pasojat nuk i kemi provuar ne të parët”, tha ish-ministri demokrat, Rexhep Uka.
Ora 12:21 – “Ta bëjmë Shqipërinë si Europa”/ Studenti i dhjetorit ’90 i drejtohet Bashës: Ne kishim një ëndërr sot duhet ta bëjmë realitet me ndihmën e SHBA dhe BE. Sot ju keni radhën ta kryeni këtë mision
Ish-studenti i dhjetorit 1990, Ilir Dizdari u shpreh në Kuvendin Kombëtar të PD, se entuziazmi i demokratëve në sallë sot i ngjan dhjetorit 1990.
“Me kaloi si pasqyrë lëvizja studentore shqiptare me dy kulminacione 8 dhjetori 1990 dhe formimi i të parës parti opozitare në Shqipëri, PD-së. dhe lëvizja e shkurtit 1991, lufta kundër kultit të individit që na është rishfaqur këto ditët e fundit dhe është bërë problem në shoqërinë shqiptare. është dita të theksojmë sot cfarë kërkuam në studentët, me parullat Liri demokraci dhe E duam Shqipërinë si gjithë Europa.
Në thelb ajo që kërkuam ne, ishin liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Kërkuam të drejtën për jetën, për fjalën e lirë, ekonominë e lirë të tregut, bashkimin kombëtar lirinë fetare dhe besimin në Zot.Cfarë porosish lamë ne: Ta duam Shqipërinë dhe të jemi mbivetjak, busulla orientuese dhe timoni i partisë në cdo kohë duhet të jetë në drejtimin e SHBA dhe BE. Kërkuam qëndrimin larg të kultit të individit, sot kemi të njëjtat detyra për të cuar në vend amanetin e atyre që sot janë baballarë gjyshër apo atyre që nuk jetojnë më. Pas lëvizjes së dhjetorit, kujtoj me respekt grupin e parë të PD, më 22 mars 1992. Bëj sot bilancin e më rezulton se ata u larguan u përzunë, dhe Shqipëria po rikthehet në kultin e individit. Ringritja e demokracisë nis me ndryshimet kushtetuese që Basha ka marrë përsipër t’i bëjë. Ne duhet të riparojmë shtyllat e PD. Ne kemi historinë tonë 30-vjecare, që duhet ta përforcojmë. E dyta, pronarët dhe elita patriotike shqiptare, 3- të përndjekurit politikë 4- strukturimi përfaqësues fetar në kuota të barazvlerësuara 5- prurjet e reja dhe rinia që të rrijë në Shqipëri e të kthehet në forcë për zhvillimin.
Ne kishim një ëndërr sot duhet ta bëjmë realitet me ndihmën e SHBA dhe BE. Ta bëjmë Shqipërinë si Europa. Sot ju keni radhën ta kryeni këtë mision, merreni dhe drejtojeni me nder.”- u shpreh Dizdari.
Ora 12:06 – Vendimi i parë, miratohet komisioni për Kuvendin Kombëtar të PD, ja kryetari dhe anëtarët
Kuvendi i PD ka miratuar vendimin e parë. Bëhet fjalë për ngritjen e komisionit të Kuvendit, i cili do të drejtohet nga Jemin Gjana. Zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa, prezantoi emrat teksa tha se nuk mund ta fshehë gëzimin për pjesëmarrjen.
Ora 11:50 – “Ju mirëpres në Kuvend”, Basha lë selinë e PD dhe i drejtohet Pallatit të Kongreseve
Rreth orës 11:50 kreu i PD-së Lulzim Basha ka lënë selinë e PD dhe i është drejtuar Pallatit të Kongreseve. Kërkesës për një prononcim nga gazetarët, Basha iu përgjigj duke i ftuar në Kuved. “Ju mirëpres në Kuvend”, përsëriti Basha.
Komisioni Jemin Gjana, kryetar – Gazment Bardhi, anëtar – Grida Duma, anëtare – Enkelejd Alibeaj, anëtar – Flutura Açka, anëtare.
RENDI I DITËS
Mbledhja e ditës së sotme pritet të jetë e gjatë, ku do të ketë edhe vendimmarrje për ndryshimin e Statutit të PD-së.
“Vendimmarrje mbi situatën politike, si edhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e PD-së, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD-së dhe axhendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës.
Miratimin e aksionit politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e platformës qytetare për demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend, si edhe ndërtimin e mekanizmit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimin e Edi Ramës, i cili në aleancë me krimin e organizuar, ka shkatërruar çdo mjet të funksionimit demokratik të shtetit shqiptar dhe po nxit braktisjen masive të vendit, kryesisht nga të rinjtë.
Miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme, sipas objektit ‘Partia Demokratike, partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm – Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri’”, thuhet në rendin e ditës.