Ndaj edhe ky Kuvend i jashtëzakonshëm zhvillohet si një akt i vetëdijshëm dhe i një përgjegjësie të lartë nga ana e Partisë Demokratike dhe e imja personalisht, për një moment shumë jetik, thelbësor, dhe pa të dytë në historinë tonë si parti politike.
Partia Demokratike është partia e parë opozitare, partia e shpresës shqiptare, dhe pa asnjë diskutim i takon të jetë aty ku Shqipërisë dhe shqiptarëve ju takon të jenë, te pozita e natyrshme në qytetërimin perëndimor.
Ky Kuvend i jashtëzakonshëm mblidhet për të vendosur më qartë se kurrë:
-a do të zgjedhim të ardhmen;
-a do të zgjedhim të heqim nga supet e Shqipërisë dhe shqiptarëve, zgjedhën e sundimit të njëshave, zgjedhën e sundimit të kastës tridhjetvjeçare, që ka marrë peng demokracinë për interesat e pushtetit dhe pasurisë marramendëse që kanë grumbulluar në rrugë të paligjshme e kriminale, zgjedhën e pandëshkueshmërisë që për turpin e tyre e kanë ngritur në sistem, për për të përjetësuar pushtetin e pak njerëzve;
-A do të zgjedhim bashkudhëtimin tonë të pandalshëm e fatlum me aleatët dhe miqtë tanë të çmuar, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet e Bashkimit Europian, që si asnjëherë tjetër më parë kanë vendosur dhe po veprojnë për ta ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët, për t’i çliruar nga sundimi i tmerrshëm i oligarkëve politikë dhe ekonomikë dhe për të rimarrë, më hovshëm se kurrë, kursin e demokracisë normale të vlerave;
-A do të zgjedhim këtë betejë, ketë shans që nuk vjen shpesh?
-Me një fjalë tjetër të vetme, a do të zgjedhim fitoren?
-Apo do të zgjedhim të shkuarën?
-Apo do të zgjedhim nënshtrimin?
-Apo do të zgjedhim humbjen e busullës nga u nisëm në dhjetor të vitit 1990?
Kjo është një zgjedhje politike dhe atdhetare, një zgjedhje mençurie dhe largpamësie, një zgjedhje mirënjohje dhe besnikërie ndaj ëndrrës shekullore dhe popullore shqiptare për Shqipërinë si Europa, për Shipërinë në miqësi të përjetshme me SHBA.