Ministri i Brendshëm serb Aleksandër Vulin deklaroi se ka marrë informacione se një grup i kryesuar nga lideri i klanit “Kavaç”, Radoje Zvicer kishte qëllim eliminimin e presidentit Aleksandër Vuçiç, shkruan gazeta serbe “Danas”.
Vulin tha se Ministria e Brendshme është informuar zyrtarisht më 14 janar, me shënimin “Urgjente” përmes Europolit, për ekzistencën e informacionit operativ se një grup i organizuar kriminal, i përbërë nga anëtarë nga vende të ndryshme, kishte për qëllim vrasjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

“Pasi u bindëm për vlerën e informacionit të marrë, anëtarët e Ministrisë së Brendshme, së bashku me përfaqësuesit e Europol-it dhe shërbimeve partnere, nisën një aksion gjithëpërfshirës për përcaktimin e identitetit të të gjithë anëtarëve të kësaj organizate kriminale që kishin si synim vrasjen e presidentit Vuçiç”, – tha ai.
Vulin deklaroi se në krye të kësaj organizate kriminale është shtetasi malazez Radoje Zvicer, organizatori dhe lideri i klanit Kavaç, për të cilin Serbia tashmë ka lëshuar fletërrestin. Sipas Vulin, Zvicer është përgjegjës për kontrabandën dhe shitjen e paligjshme të drogës, si dhe për vrasjet e kryera në Serbi, Mal të Zi dhe vende të tjera.

“Nëse Radoje Zvicer ka mbledhur dhe organizuar këtë grup, apo organizatë kriminale, për të vrarë Vuçiçin me mendjen e tij apo nëse ka marrë urdhër nga lideri i tij politik, do ta tregojë hetimi.
Deri atëherë, anëtarët e MPB-së dhe BIA-s do të informojnë Prokurorinë për Krimin e Organizuar për çdo informacion, por edhe në bashkëpunim me strukturat e inteligjencës ushtarake do të bëjnë gjithçka për të ruajtur rendin tonë kushtetues, për të ruajtur jetën e përditshme, por edhe sigurinë dhe jetën e Presidentit Vuçiç”, – përfundoi Vulin.