HomePolitikeZbardhet debati/ Gazment Bardhi: A e kalon një kandidat për noter nëse...

Zbardhet debati/ Gazment Bardhi: A e kalon një kandidat për noter nëse ka kontakt me Ymer Lalën? Manja: Në duart e mia s’do ketë gjak të një qytetari

spot_img

MARIGLEN KUME (PANORAMA)/ Diskutimi për projektligjin për vetingun e noterëve degradoi në akuza personale mes ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, dhe numrit dy të PD-së, Gazment Bardhi.

Ishte sekretari i PD-së i pari, i cili në fjalën e tij indirekt akuzoi manjën për dosjen 339 në Dibër. Por, në kundërpërgjigje, ministri Manja kujtoi ngjarjen e vetëm pak muajve më parë në Elbasan, ku u vra një mbështetës i socialistëve pas një përplasjeje me armë.

DEBATET NË KOMISIONIN E LIGJEVE

Ulsi Manja: Ligji i noterisë, pavarësisht se është një ligj i ri, nuk parashikonte asnjë instrument që të pengonte bashkëpunëtorët e kriminelëve në profesionin e noterit. Këto ndryshime vlejnë për kandidatët për noterë që do të pranohen në shërbimin noterial sipas ligjit të 2018. Sot, pranimi në shërbimin noterial kalon në disa faza. Kandidatët vlerësohen nga kriteret dhe kushtet për të qenë pjesë e këtij shërbimi, më pas i nënshtrohen provimit të kualifikimit, ata që kualifikohen do t’i nënshtrohen filtrit të besueshmërisë dhe integritetit. Pastaj vazhdojnë shkollën 1-vjeçare për noter. Me përfundimin e praktikës së trajtimit fillestar, i nënshtrohen një praktike dyvjeçare pranë një noteri, më pas i nënshtrohen provimit për noter. Para se t’i nënshtrohen provimit për noter, i nënshtrohen edhe një filtri të besueshmërisë. Lidhur me noterët e sistemit ekzistues, ndryshimet parashikojnë kontroll periodik çdo një vit.

Gazment Bardhi: Sa i besueshëm do të jetë procesi dhe konkluzioni i një funksionari të nivelit të lartë, i cili mund të jetë siç të dhënat në këto 8 vite kanë treguar, i lidhur me krimin e organizuar, për të përcaktuar nëse një specialist në ministri ta caktojë që ky nuk është i denjë për të ofruar një shërbim publik sepse ka kontakt me krimin e organizuar. Pra, ministri ndan tenderat me krimin e organizuar, nga ana tjetër një funksionari t’i thotë se ti nuk je i denjë. Mua ligji nuk ma ndalon, ndërsa ty ta ndalon. Kjo e bën procesin joefikas.

Ulsi Manja: Lidhur me integritetin tim si deputet dhe si ministër, sigurisht që kam folur tri mandate radhazi me zgjedhësit në atë zonë që unë kam pasur fatin të përfaqësoj PS-në. Qasja ime dhe raporti im me drejtësinë është i ditur botërisht. Unë ngelem i qartë që ai ligj të zbatohet pikë për pikë. E treta, zoti Bardhi, në të gjitha betejat elektorale ku kam marrë pjesë, kontaktet e mia kanë qenë me qytetarë dhe zyrtarë të këtij shteti. Nëse dikush nga ju ka prova apo indicie se unë jam në konflikt me ligjin, mund t’i paraqisni në organet e drejtësisë. Në xhaketën time dhe në duart e mia as ka pasur dhe nuk do ketë gjak qytetari të pafajshëm. Uroj që sa të jem në politikë të mos kem përgjegjësinë e fajit për jetë njerëzish të humbura padrejtësisht për hir të karriges.

Gazment Bardhi: Shumë mirë që ka vetëvlerësim, është në të drejtën e vet, por nuk bëhet fjalë për individin, por për standardin. Pyetja kishte të bënte se si mundet që një funksionar publik që nuk e ka kaluar vetë atë standard, ta aplikojë për funksionarët poshtë tij? Kjo ishte pyetja dhe nuk jemi për ty, por për zbatimin e ligjit. Unë fola për një ministër të lidhur me krimin e organizuar dhe për shkak të ndërhyrjes së ministrit noteri e kalon këtë proces. Nëse një kandidat për noter ka kontakt me Ymer Lalën, ti e kalon apo nuk e kalon, sepse ti ke kontakt vetë me këtë. Na ndërhyn Ymer Lala dhe thotë kaloje se ky është miku im. Ministri e ktheu në çështje personale, unë po pyes për çështjen e standardit. Nuk bëhet e fortë Shqipëria me kandidatët për noterë.

Klotilda Bushka: Ju thoni se e bëj personale dhe e ktheni në personale.

Gazment Bardhi: Nuk e ktheva në personale, por vendosa për standarde. Që ta bëjmë Shqipërinë më të fortë, ne duhet që 140 deputetët ta kalojnë vetingun.

Ulsi Manja: Unë e kuptoj që në fund të fundit deputeti, zoti Bardhi, është në të drejtën e tij sepse opozitë për këtë është në komision. Por opozita bëhet me fakte dhe prova dhe jo me gjykime. Unë thashë se nuk jam unë si ministër garantisti i këtij procesi, garant është ligji. Janë të gjitha mekanizmat, qoftë për heqjen e licencës së noterit, qoftë për pezullim, e ka ligji këtë. Unë nisem nga qëllime të mira dhe besoj që çdo zyrtar publik niset nga qëllime të mira. Edhe z. Bardhi u nis nga qëllime të mira kur dyfishoj tarifat për përmbaruesin privat kur ishte ministër i përkohshëm. Unë jam i prirur të besoj që Bardhi është nisur nga qëllime të mira, pavarësish se dyfishoi tarifat për qytetarët. Por nuk besoj se ishte i lobuar nga grupet kriminale.

Gazment Bardhi: Po, patjetër

Manja: Sot jemi te ndryshimi i ligjit për noterinë. Unë jam këtu për këtë ligj sot. Për të tjerat ditën e enjte në Parlament jam i hapur për interpelancë. Këtu jam në një komision teknik. Vendimmarrjen e këtij komisioni e mirëpres për të përmirësuar projektligjin. Në Parlament flas si teknik.

Gazment Bardhi: Po për ligjin e noterisë, pra, përgjigju!

Klotilda Bushka: Kur të marrësh fjalën për diskutime, atëherë thuajeni se nuk ishit i qartë.

Gazment Bardhi: Nuk e mora përgjigjen, sepse ai nuk e ka kuptuar.

Ulsi Manja: Gjeni një medium tjetër për t’i bërë këto.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular