KELMENT BAÇI/ Ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka deklaruar se arsyeja që kjo ministri refuzoi miratimin e projektit të Inceneratorit të Elbasanit ishte se ajo nuk bazohej në ligjin për prokurimet.
I thirrur në cilësinë e dëshmitarit në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, ishministri i Financave pranoi korrespondencat me ish-kolegun e tij, Lefter Koka, duke u shprehur se në përgjigjen e dhënë këtij dikasteri i është komunikuar praktika që duhet të ndiqet për dhënien me koncesion të ndërtimit të impianteve të trajtimit të mbetjeve. Ligji i koncesioneve ka vetëm procedurë të hapur, të kufizuar dhe negocim me shpallje, ndërsa ajo për Inceneratorin e Elbasanit e refuzuar nga Ministria e Financave ishte me negocim pa shpallje.
“Kemi një korrespondencë që bazohet në ligjin përkatës të kohës dhe VKM-së, nenin 19 i VKM-së, e cila kërkon një set dokumentesh, që duhen plotësuar në mënyrë që Ministria e Financave të bëjë shqyrtimin dhe më pas të veprojë me alokimin e fondeve. Ne kemi refuzuar, mbështetur në kërkesat dhe aktet ligjore dhe nënligjore. Është normale që ne të kryenim kështu. Ndërkohë, ka ardhur edhe një projektvendim kur kërkohet që të zbatohet një procedurë e veçantë lidhur me djegësin e mbeturinave ose inceneratorin. Kjo procedurë ka marrë përgjigje nga ne që nuk përputhet me ligjin për arsye se 3 janë opsionet, nuk është në këto të trija dhe natyrshëm kemi thënë që nuk është brenda këtyre, prandaj kemi thëne që merreni dhe gjeni një nga tri mënyrat. Sepse Ministria e Financave ka qenë kundër që të vendoset procedurë tjetër. Nuk është Ministria e Financave mbi ministritë që do të gjykojë nëse duhet kjo apo jo, duhet me këtë mënyrë apo në atë mënyrë. Ligji imponon autoritetin kontraktues të vlerësojë nëse do të bëhej me këtë mënyrë apo atë mënyrë”, tha Cani, përpara anëtarëve të Komisionit. Sipas ish-ministrit të Financave, refuzimi ka ndodhur se ishte shkelur ligji për koncesionet dhe prokurimet publike, i cili nuk parashikon një investim me procedurë pa shpallje, për shkak se në relacion nuk përcillej argumenti financiar dhe përmbushja e detyrimeve nga kompania.
“Ministria e Financave ka marrë atë projektvendim, e ka refuzuar për tri arsye. Së pari, ne thamë që në materialin që ju keni paraqitur relacionin, nuk jepet argumenti financiar. I themi që ju nuk jeni bazuar në ligj. Ky projektvendim në dijeninë time nuk është miratuar. Sa i takon financimit, koha ecte ose do behej ose nuk do behej. Ishte emergjencë mbledhja e mbeturinave. Kjo mbase ka sjellë që gjerat të përshpejtoheshin. Sepse po të kalohej buxheti dhe nuk do kishte reagim, do hynte në fuqi pas buxhetit dhe rutina merrte kohën e vet. E treta, arsyeja financiare dhe përmbushja e detyrimeve nga kompania. Kërkonim që të dyja palët të ishin në gjendje që të përmbushnin detyrimet. Që të përfshihej ose jo, duhej që qeveria të angazhohej, sepse buxheti është një akt madhor, sepse aty vendoset politika ekonomike për vitin e ardhshëm dhe afatmesëm. Lidhur me atë që ju thoni se me VKM është miratuar kjo procedurë e veçantë, këtë nuk e di. Unë, në dijeninë time, besoj se jam i sigurt që nuk ka VKM që të miratojë këtë procedurë jashtë ligjit”, tha Cani, duke u shprehur se nuk është ndonjë trimëri e madhe të kthesh përgjigje sipas ligjit, madje e konsideron si rutinë burokratike.
INVESTIMI
Ish-ministri i Financave shpjegoi se ky investim duhet të ishte bërë nga privati dhe pasi të shihej eficienca e tij, të kryheshin pagesat ndaj koncesionarit. Deputeti Helidon Bushati pyeti që: “Keni edhe një shkresë tjetër, ku ju miratoni një procedurë, ku nga ana kohore, 6-7 ditë. Edhe ju në eficiencë keni dhënë ‘ok’. Te pjesa e financimit shpreheni se fillimi i financimit duhet të jetë pasi të mbarojë investimi tek vepra. Pasi të mbarojë vepra, të ketë mbaruar investimi, atëherë duhet të fillonte investimi nga buxheti i shtetit. Kjo është letra juaj. As tek Elbasani, as te Fieri kjo gjë nuk ka ndodhur. Te kontratat e Elbasanit nuk u mor parasysh ky vendim?”.
Nga ana e tij, ish-ministri Cani u shpreh se: “Unë që do t’ua jap përgjigjen kështu siç është shkruar. Po ky ishte mendimi i Ministrisë së Financave që të vihej në punë inceneratori dhe të shihej eficienca. Madje, kam thënë që organet kompetente ta vlerësojnë eficiencën. Ne sugjerojmë, Ministria e Financave ka pozicion negociator. Por, këto janë çështje të negociatave. Ne ia dhamë miratimin, por i thashë që pagesa e parë të kryhej pasi të vihej në punë. Pse? Sepse ishte hera e parë që po bëhej një investim.
Pjesa negociuese është ajo që mund ta bëj ose mund të mos e bëj këtë se dhe atje ke një kundërpalë që thotë më parapaguaj ti dhe pastaj ta vendos në funksion, ne i themi ndërtoje ti, vendose në funksionim, të jetë dhe me eficiencë dhe pastaj do të të paguaj. Dëshira e Ministrisë së Financave ishte kjo: Negocio, që mundësisht të paguash në fund. Po ashtu, kërkojmë edhe të dhëna për firmën e që ne e shikojmë te kapacitetet financiare nëse e përmbush këtë detyrë apo jo lidhur me investimin. Jo të gjitha firmat i kanë paratë vetë, ato marrin edhe hua. Zgjidhjen e gjejnë vetë. Por, ne si ministri para se të japim para, duam ta dimë a janë në gjendje ta kryejnë atë aktivitet apo jo”.
MBËSHTETJA FINANCIARE
Ish-ministri i Financave nuk mohoi që nën drejtimin e kësaj, Ministria të ketë dhënë pëlqimin për kërkesën e qeverisë për mbështetje financiare të koncesionit. Sipas tij, dikasteri që drejtonte nuk ka të drejtë të ndalojë një procedurë. I pyetur se a i duket korrekte që të jepet një mbështetje 100 për qind nga buxheti i shtetit për Inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit, Cani u shpreh një shteti jep ndërtimin e veprave me koncesion, t’i ndërtojë privati dhe më pas të shlyejë në vazhdimësi. “Patjetër, është e vërtetë. Ne, duke marrë shkas që dokumentet ishin plotësuar, ne biem dakord në parim që të marrim vendimin që po, me kushtet që vijojnë më pas. Ne themi nga ana formale është plotësuar dhe ne nuk mund ta ndërpresim procedurën, sepse nuk kemi tagër. Ne e kemi dhënë pëlqimin, quhet e mbaruar. Nuk mund të mohoj dhënien e pëlqimit. Këtë nuk e di të jetë 100%, por hapësira ligjore e thotë, me apo pa mbështetje buxhetore. Atë që shteti nuk e bën dot, e bën dikush në privat, ky është kuptimi i koncesioneve dhe kuptohet që do të shlyhet”, tha Cani.
MESAZHI
Ish-ministri i Financave të qeverisë “Rama 1”, Shkëlqim Cani, pasi sqaroi pozicionin e tij se pse ishte kundër kontratës së ndërtimit të Inceneratorit të Elbasanit, e mbylli dëshminë në Komisionin Hetimor me një mesazh për politikën shqiptare. Cani theksoi se dëmi i Shqipërisë vjen nga ata që nxitojnë dhe asnjëherë nuk janë në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. “Mu kujtua një gjë që po e them, i mençuri edhe mund të ngutet, por nuk nxiton. Dëmi Shqipërisë i vjen nga ata që nxitojnë dhe asnjëherë nuk janë në kohen e duhur dhe në vendin e duhur”, tha Cani. Sa i përket çështjes në lidhje me arrestimin e ish-ministrit Lefter Koka për procedurat për Inceneratorin e Elebasanit, Cani u shpreh se: “Do më falni, kam pak emocion të përgjigjem për këtë, për të qenë realist. Kam emocionet e mia personale se ish-ministri i Mjedisit është i paditur i marrë nga SPAK-u. Nuk më pëlqen që një njeriu që nuk është më në fuqi, nuk është më në këmbë, nuk është ai që duhet të ishte, e kam shumë bezdi që t’i bie një njeriu që është shtrirë në tokë”.