Një 38-vjeçar përfundoi në prangat e Policisë së Beratit, nën akuzën e vjedhjes dhe zjarrvënies. Forcat e rendit arrestuan në flagrancë shtetasin Klodian Eskiu, 38-vjeç, banues në lagjen “Kushtrim”, Berat.
Ky shtetas akuzohet se në lagjen “30-vjetori”, në banesën e shtetasit E.Xh., ka vjedhur një “Laptop” dhe më pas i ka vënë zjarrin banesës. Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë parë tymin të dilte nga banesa, duke lajmëruar Policinë.
Pasi ka vëzhguar pamjet e kamerave mbikëqyrëse në zonë, Policia ka arritur të identifikojë autorin e vjedhjes dhe më pas djegies së banesës.
“Nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Berat, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K.E., 38 vjeç, banues në lagjen ‘Kushtrim’, Berat, pasi në lagjen ’30-vjetori’, në banesën e shtetasit E.Xh., ka vjedhur në ‘Laptop’ dhe më pas i ka vënë zjarrin banesës.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit, identifikimin dhe kapjen e autorit. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Klodian Eskiu, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale fishekë luftarak, disa çelësa bravash, 1 ‘Laptop’ dhe disa orendi shtëpiake, të cilat dyshohet të jenë vjedhur më parë.
Në vijim të veprimeve hetimore, shtetasi K.E, dyshohet të jetë autor i një vjedhje të ndodhur më parë në banesën e shtetasit M.Zh., ku ka marrë disa orendi shtëpiake”, sqaroi Policia.
Në të njëjtën kohë, akuzohet se është përfshirë edhe në disa vjedhje të tjera në qytetin ku jeton. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprime të mëtejshme.