Kandidati i PD Indrit Sefa: Lushnja meriton më të mirën, më e mira është vota për Partinë Demokratike
Fjala e kandidatit të PD në Lushnje, Indrit Sefa
Faleminderit zoti Kryetar,
Të dashur demokratë,
Të dashur bashkëqytetarët e mi!
Është një privilegj i jashtëzakonshëm, një nder dhe një përgjegjësi e madhe që përfaqësoj sot Partinë Demokratike në zgjedhjet e pjeshme për Bashkinë e Lushnjës!
Më duhet t’ju them që në fillim se do të bëj gjithçka mundem për të nderuar emrin e mirë të familjes sime dhe për të nderuar lushnjarët.
Ju keni vendosur besimin dhe shpresën për fitore tek unë, prandaj nuk do të më ndalë asgjë dhe askush, që deri në 6 Mars, të arrijmë të sjellim ndryshimin për Lushnjën.
Mbështetja që më jepni tani dhe çdo ditë, në qindra takimet që kam me bashkëqytetarët, do të thotë për mua një hap më pranë fitores në 6 Mars!
Lushnja është qyteti i parë i dashur për mua dhe në këtë garë jo normale kam vënë zemrën për t’i dhënë qytetit tim ndryshimin që meriton!
Lushnja këto 15 vite është keqtrajtuar! E keqtrajtuar nga krimi. E keqtrajtuar nga korrupsioni. E keqtrajtuar nga arroganca e pushtetit. E keqtrajtuar nga padrejtësia.
Por, siç thotë populli, jo çdo e keqe vjen për keq. Këto javë mes njerëzve të vërtetë, mes njerëzve pa pushtet, kam kuptuar se asgjë dhe askush nuk mund t’i nënshtrojë lushnjarët e mi!
Qindra, mijëra bashkëqytetarë i kam gjetur të vendosur se kështu nuk shtyhet më! Se koha dhe mundësia për të ndryshuar është tani!
Lushnja e ka të pamundur të bashkëjetojë akoma me paaftësinë, arrogancën dhe korrupsionin.
Ky qytet, që prej vitit 2007 drejtohet nga Partia Socialiste. Është koha t’i themi mjaft më! Kjo makineri e vjetëruar ka prodhuar për lushnjarët vetëm fjalë, premtime, mashtrime, varfëri, emigrim! Në 2007-ën, në 2011-ën, në 2015-ën, në 2019-ën, sa herë ka patur zgjedhje për bashkinë, kanë thënë shumë fjalë, por nuk është bërë punë!
Në 15 vjet, Lushnja duhet të ishte sot një nga qendrat më të zhvilluara urbane të vendit. Zemra e ekonomisë bujqësore të vendit, është ndër zonat më të prapambetura. Pas 15 vitesh në pushtet të Partisë Socialiste, nuk ka rrugë as në qytet, jo më në fshatra, ku jetohet si në mesjetë, përsa i takon infrastrukturës.
Pas ndarjes territoriale të vitit 2015 gjendja u rëndua edhe më shumë në zonën e fshatit. U premtua se pushteti lokal do të ishte më afër njerëzve, por ka ndodhur e kundërta.
Gati gysma e qytetarëve të Bashkisë së Lushnjës që jetojnë në fshat nuk mund të kenë kontakt të drejtpërdrejtë me të zgjedhurin e tyre, kryetarin e bashkisë. Pagesa e taksave dhe tarifave lokale nuk u kthye kurrë në shërbime për ta.
• Mungesa e investimeve dhe premtimet e pambajtura;
• Arroganca dhe mungesa e ofrimit të shërbimeve;
• Korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin e dhënë nga qytetarët; është bilanci i vetëm i drejtimit të punëve të bashkisë nga Partia Socialiste.
Për 15 vite shumë punë duhet të ishin bërë, por fatkeqësisht janë vite të humbura, që kanë sjellë kosto dhe pasoja të dëmshme për Lushnjën.
Pas 6 Marsit, nuk do të ketë asnjë shans që Lushnja të trajtohet si bashki e dorës së dytë: pa investime domethënëse, me korrupsion të përhapur në çdo nivel, pa shërbime cilësore për qytetarët e saj.
Çfarë do të bëjmë ne që ta ndryshojmë dhe si do ta sjellim ndryshimin? Për të gjitha këto kërkova në nisje të fushatës një debat publik me kandidatët për kryetar bashkie. Të dy heshtën, me mentalitetin e vjetër dhe përbuzës se lushnjarët “i kanë në xhep”.
Nuk është dhe nuk duhet të jetë kështu! Nëse ne nuk japim llogari para zgjedhësve tanë, nuk do të kemi një kryetar bashkie për njerëzit, por një kryetar bashkie për vete, për partinë, për pushtetin. Me pak fjalë do të kemi një tjetër kandidat për në burg.
Jam i bindur se në 6 mars, bashkëqytetarët e mi do t’u tregojnë kandidatëve që refuzojnë debatin për ta se janë plotësisht gabim! Lushnjarët janë të mençur! Ata do të votojnë për Ndryshimin! Për Punën! Për Zhvillimin e Lushnjes!
Nuk kam ndërmend të premtoj se në 1 vit do të bëjmë mrekulli. Por në 1 vit ne mund të bëjmë shumë gjëra të vlefshme për njerëzit, duke u shërbyer atyre pa dallime politike.
Plani im i Emrgjencës ka disa pika kyçe:
1. Në 1 vit do ta vendos bashkinë në punë. Nga një vend që shpërdoron taksat e lushnjarëve, do të kthehet në një bashki që do t’u shërbejë atyre. Bashkia e Lushnjes nuk do të jetë më kurrë vegël në duart e krimit. Bashkinë do ta clirojmë nga krimi dhe korrupsioni.
2. Infrastruktura në rrugët e qytetit dhe në shkolla është prioritet kyç.
3. Mbështetja për fermerët dhe për infrastrukturën e punës së tyre është ndër më të rëndësishmet. Hapje e rrugëve që çojnë parcela, mirëmbajtja e kanaleve kulluese dhe vaditëse, është prioritet i prioriteteve. Bujqësia është zemra ekonomike e Lushnjës, prandaj edhe investimet do të jenë të mëdha. Do të jem zëri i fermerëve, krah tyre për çdo shqetësim.
4. Mbështetja e të rinjve për punësim përbën pikë kryesore të Planit tim të Emergjencës. Të rinjtë duhet të kthehen në Lushnje, të punojnë në Lushnje, të kontribuojnë për Lushnjen.
5. Çdo burim njerëzor dhe financiar i Bashkisë së Lushnjës do të vendoset në shërbim të qytetarëve. Ne do të qeverisim së bashku për të përmirësuar sa më shpejt jetën në Lushnjë.
6. Bashkia do të jetë aleati juaj më i madh. Inspektorët e bashkisë nuk do të mbysin lushnjarët me gjoba as në fshat, as në qytet.
7. Do të zgjedh njerëzit më të mirë për të punuar për Lushnjën. Do të jem kryetar i bashkisë për të gjithë, pa dallime politike!
Unë nuk i përkas kategorisë që beson tek pushteti absolut i 1-shit. Unë besoj se për të çuar përpara Bashkinë e Lushnjës, për ta bërë jetën më të mirë në qytetin tonë, ne kemi secili përgjegjësinë tonë, si prindër, si familje, si biznese. Të gjithë kemi një rol për të luajtur, në mënyrë që vlerat tona më të mira t’i vendosim në shërbim të qytetit tonë.
Ndryshimin nuk e sjell dot një njeri i vetëm! Ndryshimin ne do ta sjellim dhe do ta realizojmë së bashku. Kjo është një sfidë ku unë dua të kem në krah çdo lushnjar, pavarësisht bindjeve, pasioneve apo qejmbetjeve politike.
Për këdo që na sheh nga ekrani i televizorit apo nga celulari i tij kam një mesazh: Nëse doni një politikë pozitive, nëse doni një bashki që punon për ju, bashkohuni me mua! Bashkohuni me Partinë Demokratike. Dilni masivisht në votime në 6 Mars dhe votoni numrin 2!
Këto nuk janë zgjedhje për partitë. Këto janë zgjedhje për ju, për fëmijët tuaj! Një i ri, në drejtimin e punëve të Lushnjës, që ju ofron ndershmërinë, punën dhe vizionin do të thotë një shans më shumë rininë, nje mundësi e re për Lushnjën!
Të dashur qytetarë të Lushnjës!
Në 6 Mars, do të jeni përballë dy alternativave. Njëra është alternativa e korrupsionit, e dështimit 15 vjeçar duke mos investuar për zhvillimin e Lushnjës, alternativa e varfërisë dhe emigrimit.
Alternativa tjetër na përket ne të rinjve të pakorruptuar, që kemi dëshirën dhe vullnetin për t’u shërbyer njerezve me ndershmëri dhe përkushtim. Sa më shumë njerëz takoj, aq më shumë bindem se më 6 Mars, bashkëqytetarët e mi do të zgjedhin ndryshimin.
Bashkë do t’ia dalim të sjellim ndryshimin!
Lushnja meriton më të mirën! Më e mira është vota për Partinë Demokratike, është vota për ndryshimin, është vota për numrin 2. Fitore!