Identifikohet dhe arrestohet autori i dyshuar i vrasjes me armë zjarri të 46-vjeçarit Altin Alikaj, ngjarje e ndodhur më 19 shkurt në lagjen “24 Maji”, Vlorë.
Vihet në pranga edhe një shtetas tjetër për përkrahje të autorit të krimit.
Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë, Vlorë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, si rezultat i hetimeve të thelluara dhe punës profesionale të kryer, bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të ngjarjes.
Bazuar në provat e grumbulluara, Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “NDËSHKIMI”.
Në kuadër të operacionit u bë e munduar kapja dhe ndalimi i shtetasit Shazi Ahmetaj, 23 vjeç, banues në Kolonjë, Lushnjë, me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve dhe të vjedhjes.
Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Mateo Kiptiu, 30 vjeç, banues në Kolonjë, Lushnjë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”,
Shtetasi Shazi Ahmetaj, dyshohet si autor i vrasjes se shtetasit Altin Alikaj, i cili u gjet pa shenja jete në banesën e tij, ndërsa shtetasi Mateo Kiptiu, dyshohet se ka ndihmuar autorin për t’u fshehur, duke i siguruar një mjet të marrë me qira për lëvizjen e tij.
Në momentin e ndalimit shtetasit Shazi Ahmetaj, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale 40.5 gram lëndë narkotike e dyshuar e llojit heroinë.
Vazhdojnë veprimet hetimore për të përcaktuar motivet e këtij krimi të rëndë, si dhe për identifikimin e personave të tjerë, që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprat penale “Vrasje me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe ” Përkrahja e autorit të krimit”.