Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë me dije se furnizimet e oksigjenit, jetike për të trajtuar pacientët e sëmurë me Covid-19, por dhe sëmundje të tjera kritike, ose lëndime nga lufta, janë duke u pakësuar rrezikshëm në Ukrainë.
Kamionët nuk kanë qenë në gjendje të transportojnë furnizime nga fabrikat drejt spitaleve brenda vendit, duke përfshirë kryeqytetin e Kievit, që do të thotë se rezervat e disponueshme mund të mbarojnë brenda 24 orëve të ardhshme.
OBSH tha se po punon me partnerët për të marrë dërgesa urgjente përmes Polonisë.
“Situata e furnizimit me oksigjen është afër një pike shumë të rrezikshme,” deklaroi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus dhe Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.
OBSH tha se disa fabrika prodhuese në Ukrainë po përballeshin gjithashtu me mungesë të zeolitit – një produkt kimik thelbësor, kryesisht i importuar, që nevojitet për të prodhuar oksigjen të sigurt mjekësor.
Shërbimet spitalore janë gjithashtu nën kërcënim nga mungesa e energjisë elektrike.