Vetëm disa orë pasi presidenti rus kërcënoi me përdorimin e armëve bërthamore, “zëdhënësi i propagandës së tij”, spikeri televiziv Dmitry Kiselyov, ka shantazhuar Perëndimin me asgjesim nuklear. Duke folur për televizionin kombëtar rus “Rossiya 1”, Kiselyov ka paralajmëruar shtetet e NATO-s duke përfshirë SHBA-në. Kiselyov u shpreh se nëndetëset ruse mund të qëllojnë me rreth 500 raketa bërthamore, ndaj Perëndimi bën mirë të stepet.
“Rusia ka armët bërthamore që manovrohen nga bombarduesit më të shpejtë e më strategjikë. E mos të përmendim pastaj Forcat Strategjike ruse të Raketave. Potenciali nuklear i Rusisë është më i forti në botë. Putin e paralajmëroi Perëndimin. Mos u përpiqni të friksoni Rusinë”, tha Kiselyov.
Gjatë edicionit informativ “Vesti Nedeli”, që u trasmetua në 11 orare të ndryshme në Rusi, spikeri fajësoi sekretaren britanike të jashtme, Liz Truss se po përpiqej të intimidonte Rusinë. Folësi rus ka tallur ministren e jashtme duke komentuar fjalët e saj ku Truss shprehej se një konflikt i armatosur mes Rusisë dhe NATO-s mund të lindte nga kriza në Ukrainë.
“Një konflikt mes Rusisë dhe NATO-s për Ukrainën?! Një gjë e tillë nuk është dëgjuar kurrë më parë”, tha Kiselyov. Ai shtoi: “Pastaj, me kapacitetin nuklear të Rusisë me armë supersonike si Tsirkon-i, Perëndimi zor se ka ndonjë mundësi kundër nesh”.

Këto kërcënime janë pjesë e ofensivës mediatike të Kremilinit, objektivi i të cilave është që t’i paraqesë luftëtarët ukrainas si nazistë ndërsa ata rusë t’i bëjë të duken si forca çlirimtare.
Dmitry Kiselyov, një nga propaganduesit më ‘helmues’ në Rusi, ka akuzuar kancelarin gjerman Olad Scholz se po solidarizohet me gjenocidin e ditëve të sotme që sipas tij po bëhet kundrejt të gjithë banorëve rusfolës në Ukrainë.
Ndërkohë folësja tjetër ruse, Olga Skabeyeva tha se ndonëse janë në tërheqje, nazistët ukrainas vazhdojnë ta shkatërrojnë Donbasin.



Është pikërisht kjo propagandë që ka bërë shumë rusë të jenë të bindur se konflikti është provokuar nga Perëndimi.
“NATO na shtyu në këtë luftë. Ne jemi një popull paqësor. Askush në Rusi nuk donte që kjo të ndodhte. Ukrainasit janë vëllezërit tanë, por ndonjëherë vëllezërve duhet t’i vihet fre nëse u futen ide idiote në kokë”, thotë 61-vjeçari Vladimir Butyrkin, një traktorist në pension.
Të rinjtë rusë, që janë më të aftë me teknologjinë dhe mund të aksesojnë lajme dhe media të pavarura, janë më kritikë ndaj Putin-it dhe pushtimit të tij. Si rrjedhojë e kësaj, Kremlini u ka hequr aksesin në Facebook dhe në disa rrjete të tjera.
Por edhe skuadra kibernetike që punon për “Meta” ka një përgjigje për këtë lëvizje të Moskës. IT-të zyrtarë të “Meta”-s kanë bllokuar një sërë llogarish të rreme ruse dhe kanë hakuar profile të ndryshme që përpiqeshin të shpërndanin lajme të rreme për Ukrainën. Këto llogari kishin filluar fushata dezinformuese, duke mbështetur agresionin rus. Në imazhet qe këto llogari shfaqnin, Ukraina përshkruhej si ushtar i Perëndimit, shkruhet në një deklaratë zyrtare të“Meta”-s.
“Kishin krijuar website dhe hiqeshin si media të pavarura.Po ashtu kemi evidentuar shumë profile të rreme në një sërë platformash duke përfshirë këtu: Facebook, Instagram, Tëitter, You Tube”, thuhet në një postim të META-s.

Duke cituar deklarata agresive të NATO-s dhe po ashtu duke përmendur sanksionet e ashpra financiare, Putin dha direktiva që Rusia të bëjë gati armët bërthamore, duke shtuar frikërat se pushtimi i Ukrainës mund të çojë në një luftë bërthamore. Rusia ka arsenalin më të madh në botë të armëve bërthamore dhe një kapacitet të lartë të raketave balistike. Vendin e dytë për fuqi nukleare e zënë SHBA-të. Pas lëvizjes së deklaruar të Putin, zyrtarë amerikanë kanë dalë në deklaratë se përdorimi i armëve bërthamore është totalisht i papranueshëm.
Gjermania nga ana tjetër thotë se urdhrat e fundit të Putin-it kanë ardhur për shkak se ofensiva e tij ka ngecur. Berlini thotë se forcat ruse kanë hasur një rezistencë të fortë nga sulmuesit ukrainas. Ata theksojnë se pavarësisht avancimit të rusëve në territorin ukrainas, hapësira ajrore e Ukrainës mbetet e lirë.
Zyrtarët amerikanë pranojnë se pushtimi i Ukrainës ka qënë më i vështirë dhe më i avashtë sesa Kremilini e kishte parashikuar, ndaj kjo ka ndikuar në mënyrën se si Moska reagon ndaj zhvillimeve të fundit. Një zyrtar i Washingtonit thotë se konflikti, qe duket se është qetësuar disi të dielën, mund të përkeqësohet nëse Rusia ndihmohet me trupa nga Bjellorusia. I njëjti burim ka thënë për Daily Mail se nëse Bjellorusia do të futet ose jo në luftë, kjo do të varet nga ecuria e negociatave që kanë nisur këtë të hënë.
Perëndimi është zotuar se do ta ndihmojë Ukrainën, qoftë duke ashpërsuar sanksionet financiare, qoftë me armatime. Ndërkohë keto shtete besojnë se Putin do të marrë në dorë qeverinë ukrainase, për të vendosur një regjim të vetin, duke riinstaluar influencën e tij mbi shtetet që Moska kishte satelitë në kohën e Luftës së Ftohtë.
Deily Mail/ Pergatiti Lapsi.al