PIPOS Prishtinë ka realizuar edhe valën e dytë të sondazhit për zgjedhjet e 6 mars 2022, në 6 bashki në Shqipëri.
Sipas të dhënave të sondazhit, Partia Demokratike triumfon në bashkinë e Durrësit, Shkodrës dhe Dibrës, ndërsa Shtëpia e Lirisë, koalicioni midis LSI dhe Sali Berishës, nuk fiton në asnjë bashki.
Për të komentuar pikërisht këtë, ishin të ftuar në emisionin “Pikat mbi I” Analisti Artur Zheji dhe Spartak Ngjela.
Sipas Ngjelës ndryshe nga PD, socialistët nuk i ka parë të angazhuar në këto zgjedhje ndërkohë që u shpreh se Berisha do të jetë më i godituri dhe kjo për faktin se është nën siglën e LSI.
“Se do të ishte e fortë PD, e dija. Më bën përshtypje fakti për Shkodrën. Atje mund të kishte çarje të madhe dhe nuk dihet se kush mund ta merrte. Njëra anë e medaljes është kjo.
Socialistët nuk i kam parë të angazhuar në krahasim me PD-në. Politikisht Rama është me Berishën. Çfarëdo që të bëjë, edhe një sondazh tjetër që kam unë, forcë të parë absolute nxjerr PD-në. Sipas sondazhit dhe pikëpamjes time ka bërë një gabim Saliu. Futi kandidatët e tij me LSI-në. Ju nuk e dini sa e madhe eshtë urrejtja e demokratëve për LSI-në por nuk kishte rrugë tjetër. Berisha është i goditur sepse është nën siglën e LSI.
Simpatizantët e PD-së dhe anëtarsia e saj e dinë që këto zgjedhje mund të shkatërrojnë PD-në dhe kjo frikë e ka çuar shumicën me PD-në zyrtare.”
Nga ana tjetër analisti Artur Zheji u shpreh ky sondazh tregon se fryma anon nga Lulzim Basha edhe pse PD lufton kundër 4 forcave politike, përfshirë edhe PSD-në e Tom Doshit në Shkodër.
“PD nuk lufton kundër një force, por kundër 3. Në Shkodër kemi një koalicion të qartë mes PS-së dhe PSD-së e cila ka një mbështetje të fortë dhe pastaj LSI të cilat i marrin vota.
Në qarqe tjera nuk është njësoj. Durrësi ka përmbysur shpeshherë rezultate, është qytet që i rri besnik logos por punës. Durrësi është i habitshëm një fitore në Durrës dhe në Shkodër e bën PD-në kandidaten për të fituar zgjedhjet në 2023. Dibra është e mençur dhe e pakorruptueshme. Janë njerëz që votojnë me bindje dhe nuk dalin në tregun e shitjes së votës edhe pse ka presion të madh. Kjo është një betejë 1 me 4. Ky sondazh tregon se fryma anon nga Lulzim Basha. “