Nga Bujar Leskaj
Një shembull i qartë, dramatik dhe i fundit i korrupsionit galopant në çdo por të administratës publike, i kapjes totale të shtetit tonë nga sekti qeverisës Rama dhe i shndërrimit të vendit në një Eldorado të prodhimit dhe tregtimit të kanabisit, është Raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi Strategjinë e Kontrollit të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe luftën kundër pastrimit të parave, i publikuar më 2 mars 2022(//ëëë.state.gov/ëp-content/uploads/2022/03/22-00768-INCSR-2022-Vol-2.pdf).
Ai cilëson se “Shqipëria mbetet e pambrojtur ndaj Pastrimit të Parave për shkak të korrupsionit, pranisë së rrjeteve të krimit të organizuar dhe boshllëqeve në legjislacion dhe mbikëqyrje”(Vëllimi i Dytë i Raportit, “Pastrimi i Parave”, faqe 34, fragmenti i dytë).
Ky është realiteti i trishtë ku e ka sjellë vendin sekti Rama. Me të, Shqipëria është kthyer në një vendburim kryesor të prodhimit dhe tregtimit të kanabisit në Evropë, si dhe një bazë lokale për grupet e krimit të organizuar që lëvizin drogat e paligjshme nga vendet e origjinës në tregjet evropiane. Sipas DASH, “Grupet shqiptare të krimit të organizuar janë të pranishme në Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe në të gjithë Evropën, si dhe në Amerikën e Jugut, duke përfshirë Ekuadorin, Kolumbinë dhe Perunë. Ato vlerësohet të kenë shtrirë praninë e tyre në të gjitha hallkat e trafikut që nga blerja, transporti, shpërndarja deri te zinxhiri i shitjeve në Evropë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara”.( Vellimi i Pare i Raportit, “Kontrolli i droges”, faqe 80, fragmenti i trete. https://ëëë.state.gov/…/03/22-00767-INCSR-2022-Vol-1.pdf ).
DASH rendit tre arësyet kryesore pse vendi ynë është shndërruar në bazë të prodhimit dhe trafikimit të droges. Sipas raportit “Sundimi relativisht i dobët i ligjit, korrupsioni dhe niveli i lartë i papunësisë janë nxitësit kryesorë të fenomenit të drogës në Shqipëri. Krimi i dhunshëm në Shqipëri është shpesh i lidhur me krimin e organizuar dhe, gjyqtarë, prokurorë, policë dhe gazetarë kanë qenë subjekt i kërcënimeve…Grupet shqiptare të krimit të organizuar vazhdojnë të pastrojnë të ardhurat në Shqipëri dhe të kontribuojnë në korrupsionin në vend”(Po aty, faqe 80, fragmenti i katërt).
Trafikimi i lëndëve narkotikëve dhe aktivitetet e tjera të krimit të organizuar, përfshirë trafikun e qenieve njerëzore, apo dhe evazionin fiskal dhe kontrabandën, konsiderohen nga DASH si burimet kryesore të fondeve të pastruara. Vendi ka një ekonomi të madhe cash dhe një sektor të gjerë informal. Sektori i ndërtimit, i pronave të paluajtshme dhe përfshirja në sipërmarrje janë, sipas Raportit të DASH, ndër metodat më të përhapura të pastrimit të të ardhurave të paligjshme. “Bastet online, edhe pse të paligjshme, përsëri ndodhin përmes platformave të vendosura jashtë Shqipërisë”, thekson Raporti.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka denoncuar në vijimësi korrupsionin si burim dhe bazë të sigurtë të pastrimit të parave tek ne. (/Users/user/Doënloads/1ALBEA2021001%20(2).pdf . Sipas FMN, mundësitë për të pastruar para në Shqipëri janë të mëdha, për shkak se ekonomia e vendit është informale dhe e bazuar në transaksionet cash. Ekspertët e FMN theksojnë se lehtësirat më të mëdha për pastrimin e parave paraqiten në agjencitë imobilare, kazinotë dhe sipërmarrjet private. Gjithashtu pastrimi i parave bëhet edhe në transportimin e parave cash jashtë vendit. “Noterë, gjyqtarë dhe avokatë fshehin origjinën e parave informale”, theksohet në raportin e Fondit.
Raportet e fundit të Transparency International, Indeksit të Pastrimit të Parave të Institutit të Bazelit për Qeverisjen, revistës prestigjoze “The Economist” në numrin e saj të 22 majit 2021 dhe Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar, dëshmojnë se është sekti Rama në pushtet ai qe ka çelnikosur, me lejet e ndërtimit të dhëna në përmasa alarmante gjatë tetë viteve të fundit, lidhjen e parasë së krimit me aktivitetet e ndërtimit dhe të investimeve në turizëm. Ekonomia informale, e mbrojtur dhe e stimuluar nga sekti dhe korrupsioni galopant i tij, krijon mjedisin e përsosur për pastrimin e parave.
Metodat për pastrimin e parave përfshijnë transkasionet nëpërmjet sektorit financiar, hapjen e llogarive në banka për bamirësi ose në emrat e familjarëve, blerja e ose hyrja në bashkëpunim me biznese ligjore në kompanitë tregtare, të ndërtimit, shërbimeve, transportit etj., hapjen e kompanive jashtë vendit, si dhe blerje të pasurive të paluajtshme, të tilla si toka, apartamente, hotele, restorante dhe pika karburanti.
DASH e mbyll Raportin e tij të 2 marsit 2022, duke theksuar se “Shqipëria duhet të zbatojë në mënyrë efektive ligjet ekzistuese, të ushtrojë funksione efektive mbikëqyrëse, të përmirësojë bashkëpunimin mbikëqyrës dhe ligjzbatues dhe të vazhdojë të zhvillojë kapacitetet e policisë dhe prokurorëve të saj për t’u fokusuar në korrupsionin, pastrimin e parave dhe krimet ekonomike” (Vëllimi i Dytë i Raportit, “Pastrimi i Parave”, faqe 35, fragmenti i katërt).
Këto rekomandime të DASH ngelen vetëm sygjerime me vlerë, pse asnjëherë nuk zbatohen nga sekti qeverisës në Shqipëri. Pas futjes së Shqipërisë në Listën Gri të Pastrimit të Parave të MoneyVal në shkurt të vitit 2020 dhe konstatimeve e paralajmërimeve të FMN, BB, Transparency International dhe SELDI, Raporti i marsit 2022 i DASH, krahas theksimit të vendit tonë kaq të ekspozuar dhe të pambrojtur nga tregtia e drogës dhe pastrimi i parave, përfaqëson këmbanën e fundit dhe tejet serioze që bie në ndërgjegjen e qytetarëve shqiptarë, duke ndriçuar skutat e errta të lidhjeve të qeverisjes Rama me pastrimin e parave, trafikun e drogave dhe kapjen e Shtetit.