Nga Maxim Osipov
Me kërkesë të botuesit tim spanjoll e shkrova këtë shënim me temën e ditës, lufta në Ukrainë.
Dhe ai (Zoti) tha: “Çfarë ke bërë?”. Zëri i gjakut të vëllait tënd më vëngon nga toka;
Dhe tani je i mallkuar nga toka që ka hapur gojën për të marrë gjakun e vëllait tënd të derdhur nga dora jote; do të jesh syrgjyn dhe një endacak në këtë tokë.
– Zanafilla 4:10–12
Im atë, Aleksandër Fihmani (1930-1991), ka lindur në qytetin Proskurov (që prej vitit 1954 – Hmelnicki) në perëndim të Ukrainës. Në qershorin e vitit 1941, ditët e para të luftës, së bashku me prindërit dhe me motrat e mia më të mëdha u largua nga qyteti i lindjes për të mos u kthyer më. Farefisi që nuk arriti dot të largohej vdiq në Babij Jar pranë Kievit bashkë me 150 mijë hebrenj të tjerë. Deri në Kiev udhëtuan me tren, udhëtuan gjatë, 11 ditë: trenat bombardoheshin nga ajri, e riparonin vetë linjën hekurudhore të bombarduar. Nga Kievi familjen e dërguan në thellësi të vendit, larg në lindje. Babai më ka treguar për rrugëtimin, njëherë kujtoi një ngjarje prekëse: në plaçkën që morën u ndodh vëllimi i Lesingut, i shkrimtarit romantik gjerman të shekullit XVIII. Shumë nga ato që më ka treguar im atë i kam harruar, kurse vëllimi i Lesingut, të autorit që e kishte shkruar në gjuhën e armikut, më ka ngelur në mendje.
Këto ditë për luftën shkruhet shumë, kurse mendojnë e flasin të gjithë. Ndjenja mbizotëruese është urrejtja ndaj atyre që e ndezën luftën, frika e natyrshme për të ardhmen dhe, sigurisht, turpi, prej të cilit nuk të shmang formula: “Not in my name”. Ditët e fundit iu shtua adhurimi i qëndresës së popullit ukrainas, e presidentit dhe i ushtrisë. I asaj ushtrie që në Rusi zyrtarisht është bërë zakon të thirret “bandë narkomanësh dhe neonazistësh” apo “formacione ukrainase”. Duhet thënë se gjuha e hedhur në përdorim nga shtetarët rusë e zbulon thelbin e gënjeshtër dhe mizantrop. Kanë filluar të flasin “për zgjidhjen e çështjes ukrainase”. Luftën nuk e thërresin me emrin që ka, por operacion i posaçëm. “U asgjesuan dyqind neonazistë” – thuhet, në vend që të thuhej: “Mbetën të vrarë dyqind ushtarë dhe oficerë”. E pse duhet asgjësuar kundërshtari, për më tepër banor, siç shpallet zyrtarisht, i vendit vëlla?
Lidhur me vëllazërimin: në demonstratën me përmasa modeste të atyre që janë kundër luftës në qytezën tonë Tarusa, dola me pllakatën: “Kain, ku është vëllai yt Abeli?” Kësaj lufte tjetër emër përveç vëllavrasëse, nuk i vë dot, dhe përgjigje pyetjes së bërë në frymën e filmit kult “Vëllai” nuk i jep dot. “Nuk je vëllai im, o morr bythëzi” – i thotë heroi: është një përgjigje që ka të bëjë me marrëdhëniet tanimë të ngulura në brezat e rusëve ndaj njerëzve me pamje ndryshe nga ata, “jo sllave”.
Sido që të jetë, mendimi turjelë që na e shpon kokën në këto ditë të mynxyrta mua dhe miqve të mi është: çfarë turpi të tmerrshë po përjetojmë! Dhe nuk është hera e parë në historinë tonë.
“Askush nuk foli për urrejtje ndaj rusëve. … Nuk ishte urrejtje, sepse ata nuk i konsideronin ata qenë rusë si qenie njerëzore, por ishte një neveri, pështirosje dhe hutim nga mizoria e pakuptimtë e këtyre krijesave, ishte si dëshira për t’i shfarosur ato – si dëshira për të shfarosur minjtë, merimangat helmuese ose ujqërit – ishte një instinkt po aq i natyrshëm sa ai i vetëmbrotjes.”
Ky pasazh nga Tolstoi “Haxhi Murati”, i referohet një epokë krejtësisht tjetër, e megjithatë, herë pas here, ajo rimerr rëndësinë e vet.
Luaj shpesh shah në Internet, më është bërë zakon, siç u është bërë të tjerëve falli me letra apo mbushja e fjalëkryqeve. Kam patur dhe partnerë ukrainas, por ditët e fundit, me ta pikasur flamurin rus, ata shkruajnë: “Me pushtuesit nuk dua të luaj” apo thjesht dalin nga loja. Është reagim i natyrshëm, i drejtë, të bën t’i vësh gishtin kokës: në ç’gjendje jemi katandisur në marrëdhëniet me ata, ne që e mbajmë gjuhën ruse si pjesë përbërëse të personalitetit, mbajmë përgjegjësi për gjithë ç’po ndodh. Poeti i mrekullueshëm Aleksei Cvetkovi, bashkëkohësi ynë, shkroi fabulën: “Përfytyroni se jeni duke ecur buzë një pellgu, shihni fëmijën që po mbytet. Nuk dini not, prandaj qëndroni i gozhduar në vend, vetëm tundni krahët, fëmija në sytë tuaj mbytet. Faj nuk keni, ama nëse deri në fund të jetës nuk ndieni vrasje të ndërgjegjes, kjo do të thotë se e keni mangët një burgji, lidhet me moralin”. Janë fjalë të thëna ashtu si duhet.
Sigurisht, kanë plotësisht të drejtë ata që e quajnë luftën në Ukrainë si fillimin e shpërbërjes së Rusisë. Lufta e shkurtër, fitimtare, blickrigu, nuk u arrit. Dështimin në luftë qeverisësve autoritarë nuk do ua falin, por zor se merr fund gjithçka me këmbimin e qeverive (shih epigrafin). Historia e vendit tonë është duke marrë fund, mirëpo gjuha ruse, kam besim të plotë, do mbijetojë, ndonëse hapësira e saj, doemos, do tkuret. Duke iu rikthyer vëllimit të Lesingut që e përmenda më sipër: a do e marrë me vete djaloshi që largohet nga Kievi – jo për në lindje, por për në anën e përkundërt, – librin e shkruar në gjuhën e armikut, për shembull, “Bija e kapitenit” të Pushkinit apo “Haxhi Murati” të Tolstoit?
Unë thjesht këtë nuk e di
Shqip nga Jorgji Doksani
Maksim Osipov
Maxim Osipov është një shkrimtar dhe kardiolog rus. Në fillim të viteve 1990 ai ishte një studiues në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko, përpara se të kthehej në Moskë, ku vazhdoi të ushtronte mjekësinë dhe gjithashtu themeloi një shtëpi botuese të specializuar në tekste mjekësore, muzikore dhe teologjike. Në vitin 2005, ndërsa punonte në një spital lokal në Tarusa, një qytet i vogël 101 km larg Moskës, Osipov krijoi një fondacion bamirësie për të siguruar mbijetesën e spitalit. Që nga viti 2007, ai ka botuar tregime, novela, ese dhe drama, si dhe ka fituar një sërë çmimesh letrare për letërsinë e tij artistike. Shkrimet e Osipov janë përkthyer në më shumë se një duzinë gjuhë. Debutimi i tij në gjuhën angleze, Rock, Paper, Scissors and Other Stories (përkthyer nga Boris Dralyuk, Alex Fleming dhe Anne Marie Jackson) u shfaq nga NYRB Classics në 2019, dhe tregime dhe ese individuale janë shfaqur në The Paris Review, Granta, Hazlitt , dhe revista të tjera. Në gjuhën shqipe botimet “Fenix” ka dy libra. ” Klithma e zogut të shtëpisë” dhe “Kilometri 101”
Ai jeton në Tarusa.