Një sasi tritoli iu vendos para banesës së një 44- vjeçari, ish-inspektor i Pyjores, i cili ndodhej në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, pasi u akuzua pak muaj më parë për “Shpërdorim detyre”.
Ngjarja ndodhi në fshatin Vërdovë të Pogradecit, ku tritoli ka shpërthyer gjatë natës, por fatmirësisht janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Arben Xhukellari është pronari i banesës ku është vendosur tritoli – një person që ishte në arrest shtëpie. 44-vjeçari ka punuar në Bashkinë e Pogradecit, në sektorin e Pyjores si inspektor, kohë kur edhe u akuzua për shpërdorim të detyrës. Si pasojë e shpërthimit, u dëmtuan muret e jashtme të banesës, dera, si dhe disa dritare.
“Më datë 13.03.2022, rreth orës 22:50, në fshatin Vërdovë, Pogradec, në portën e jashtme të murit rrethues të banesës së shtetasit A. Xh., 44 vjeç, ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse. Si pasojë e shpërthimit, janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ku është dëmtuar porta e jashtme e oborrit dhe xhamat e derës së jashtme të banesës. Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin, kapjen e autorit/ve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, sqaroi Policia.
Sipas deklarimeve të familjes, ai nuk ka pasur konflikte me njeri. “Shpërthimi ishte i fortë, u tmerruam. Policia ka ardhur shumë shpejt dhe kanë bërë të gjitha matjet dhe punën e tyre. Nuk kemi konflikte me njeri. Arbeni është mjaft i respektuar në fshat dhe nuk ka asnjë konflikt me askënd as në fshat e as kudo tjetër. Edhe vetë Arbeni ka deklaruar se nuk ka konflikte. Përveç terrorit të shkaktuar nga shpërthimi i fortë dhe terrorizimit të fëmijëve dhe familjes, nuk ka pasur lëndime në njerëz”, u shpreh Avni Xhukellari, kushëri i Arben Xhukellarit.
Fatmirësisht, nga lënda plasëse u dëmtua vetëm pjesa e jashtme e banesës, ndërsa ende nuk ka një të dyshuar konkretë për ngjarjen dhe arsyen e shpërthimit. Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Pogradec e Korçë, për veprime të mëtejshme.