Sipas të dhënave të publikuara dje, ata flasin për një bandë që drejtohet nga “Rindi” dhe “Qorri”, të cilët funksionojnë me të njëjtën metodë siç operohet në vendin tonë, ndërkohë është hedhur dritë mbi një sërë detajesh të tjera që kanë të bëjnë me këtë grup.
Sipas të dhënave të këtyre mediave, Elsa Lila, këngëtarja shqiptare me famë edhe në Itali, kishte rolin e personit që mbante llogaritë e grupit kriminal, por ajo nuk del në asnjë moment si e përfshirë direkt në aktivitetin me të cilin merrej organizata.
Prokurorët italianë që po hetojnë aktivitetin kanë bërë me dije se Lila është e përfshirë indirekt dhe se në përgjime ajo më shumë i mëson personat se si të evitojnë përballjen me Policinë se sa është e përfshirë në aktivitetin kriminal.
Megjithatë, ata pretendojnë se këngëtarja ishte një person mjaft i rëndësishëm për shkak të reputacionit që ajo mbante jo vetëm në vendin ku banonte, por edhe në të gjitha qarqet e artit në Itali.
PËRGJIMET
Janë publikuar përgjimet e reja për grupin ku bënte pjesë këngëtarja shqiptare Elsa Lila. Raportohet se, përveç llogarive që bënte për grupin kriminal, Elsa Lila ishte edhe “njëfarë këshilltareje” për këtë grup kriminal.
Përveç Elsa Lilës, në pranga kanë rënë edhe 8 të tjerë, mes tyre edhe boksieri Petrit Bardhi, i njohur me pseudonimin “Titi”.
Në një përgjim të bërë publik ditën e djeshme nga italianët e hetimit, mësohet se është kapur pikërisht një bisedë e këngëtares Elsa Lila ku ajo thotë: “Nuk kam frikë nga Policia, por nga hajdutët”!
Sipas hetuesve, këto fjalë ajo ia thotë një personi që i thërrasin Rindi, dhe që, sipas tyre, bëhet fjalë për Arindi Bocin, një nga personazhet që del si më shumë aktiv në përgjimet e autoriteteve italiane. Sipas të dhënave të dosjes së publikuar në mediat vendase, mësohet se për Rindin është kujdesur këngëtarja, i cili dyshohet se i ka dhënë një kasafortë që emërtohej kutia e “babagjyshit”.
Sipas prokurorisë, “Titi” flet me disa kalabrezë për një raund import-eksporti të kokainës. Në këtë rast të përgjuar, ai dëshiron të mburret me miqësinë e tij me Antonio Pelle, duke kujtuar se si xhaxhai i tij në Shqipëri kishte pritur për katër vjet të arratisurin nga Kalabria.
Gjatë hetimeve, efektivët sekuestruan mbi 130 kg drogë. Në një kuti në rrugën “Odoardo Giove”, janë gjetur 87 kg hashash, 3.5 kokainë dhe 35 marijuanë: “Ne i kemi të gjitha”, thanë ata duke iu referuar drogës, qoftë ajo e shënuar nga figura e filmit vizatimor “Sponge Bob” apo edhe me emrin e stilistit të njohur “Louis Vuitton”. “Banda e re” Grupi kriminal, sipas Prokurorisë italiane, përdorte baret (lokalet) për takime dhe për të realizuar strategjitë.
Ndërkohë që për të fshehur drogën, ata përdornin apartamente të sigurta. Ata përdornin edhe telefona celularë të veçantë për të shmangur përgjimin duke paguar shumën prej më shumë se 3 mijë eurosh në vit, ndërkohë që kishin harruar përgjimet ambientale, aq më tepër kur ata i përkisnin grupit të Arben Zogut, emrit proverbial të krimit në Romë. Sipas të dhënave policore, operacioni i dy ditëve më parë është konsideruar si “mposhtja” e bandës së re të trafikantë të drogave në kryeqendrën italiane. Për të bërë të mundur kapjen e tyre, Policia mbajti nën vëzhgim dy bare, njërin në zonën e Acilias dhe tjetrin në zonën Giardino.
Aty është parë se në takimet që bëheshin në kafenetë e zgjedhura nga anëtarët e grupit, bëhej i mundur shkëmbimi i mallit me personat që do ta hidhnin në treg, kryesisht në 6 lokalitete të njohura të Romës. Madje në ato zona nuk mund të hynte askush tjetër përveç shpërndarësve të tyre dhe mallit të tyre, kryesisht kokainë, hashash që iu shkonte nga Shqipëria. Italianët kanë folur dje edhe për një emër mjaft të njohur të krimit vendas. Bëhet fjalë për Fabrizio Caponga, që i përket një familjeje mjaft të njohur mafioze, por edhe të goditur jo pak herë nga Antimafia.
BANDA E SHQIPTARËVE TË ITALISË
Sipas të dhënave, bëhet me dije se hetimi nisi në vitin 2019, konkretisht nga ky personazh, i cili furnizonte grupin me drogë. Prej aty, hetuesit mbërritën te Petrit Bardhi, një boksier amator shqiptar, i njohur si “Titi”, i cili në vitin 2015 ishte përfshirë në hetime financiare, që asokohe shihej edhe si protagonist i bandës së Fabrizio Piscitellit, i njohur si “Diabolik”-u, udhëheqësi i “ultra lacialëve”, i vrarë në gushtin e 2019-ës. Duke kryer hetime dhe përgjime intensive, kryesisht përgjime ambientale, por edhe me persona që infiltroheshin herë pas here në grup për të kryer ndonjë punë të vogël apo edhe në rolin e blerësve, hetuesit hasën një grup droge që koordinohej dhe drejtohej nga “Rindi” dhe “Qorri”, dy shqiptarë të moshës 36 dhe 33 vjeç, thonë mediat vendase. Së bashku me ta, në grup, mes të tjerëve, ishin edhe “Çesku”, krahu i djathtë i “Rindit” dhe një 48- vjeçar roman, i cili kishte për detyrë të ruante drogën në magazinën që gjendej në Torrevecchia. Bazat e tjera të magazinimit ishin në Vitinia dhe Acilia. Ata, pra shqiptarët, në Romë janë të shumtë dhe të fortë – konkluzioni i dalë para një viti nga sektori i Antimafias. /Panorama/